Valbon Krasniqi: Ka vështirësi në furnizim me barna

  • E.K /
  • 21 December 2020 - 15:39
Valbon Krasniqi: Ka vështirësi në furnizim me barna

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha sot para mediave se ka pasur vështirësi në furnizim me barna që janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Ai përmendi edhe mungesën e Fraxiparinës, me ç’rast tha se kanë kontratë për furnizim me të, por që është shpenzuar sasia.

Ai ka thënë se brenda dy ditëve presin furnizim.

“Ne kemi kontratë valide për të na furnizuar me Fraxiparinë. Është shpenzuar një sasi që ka qenë edhe e vitit të ardhshëm. Ka vështirësi në furnizim”, tha ai.

Krasniqi përmendi edhe ngarkimin e spitaleve rajonale e Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa tha se momentalisht 785 pacientë janë të shtrirë në këto institucione.

“Tashmë tri javë numri i të shtrirëve sillet rreth 800. Edhe më tutje spitalet tona janë të ngarkuara. 44 pacientë  janë në gjendje të rëndë, 8 janë të intubuar dhe 36 janë në ventilim mekanik joinvaziv”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)