Rrahja e Valon Sylës, deklarohet vëllai i sulmuesit

  • A.P /
  • 22 December 2020 - 17:25
Rrahja e Valon Sylës, deklarohet vëllai i sulmuesit

Ish-zëvendësministri nga radhët e PDK’së, Bekim Jupa, është deklaruar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, të cilin dyshohet se e kreu vëllai i tij.  

“Unë isha në punë, nuk e kisha informatën më herët, tash po shkoj në shtëpi të bisedoj me dit a është problemi i vëllait a qysh ka qenë. Unë e kisha telefonin e ndalur deri në 15:30 dhe s’kam pasur qasje në telefon”, ka thënë Jupa.

Bashkim Jupa me prejardhje nga Gjakova por me vendbanim në Zvicër, dyshohet është personi që sulmoi sot në Prishtinë gazetarin Valon Syla.

Akoma nuk dihen shkaqet e sulmit, megjithatë ndaj gazetarit Syla ka pasur shumë reagime për shkak të opinioneve të tij për diasporën, të shprehura në profilin e tij në Facebook.

Sulmin ndaj gazetarit është cilësuar nga AGK’ja si sulm ndaj fjalës së lirë. Gjatë ditës ka pasur edhe shumë reagime të tjera, në përkrahje të gazetarit.

Syla sapo ka thënë se sulmuesi i tij është arrestuar dhe po shoqërohet në stacion të policisë.

“I falënderoj policinë dhe të gjithë që reaguan në mbrojtjen time. Personi i dyshuar është rrugës për në polici. Unë jam mirë dhe së shpejti nesër do të jem në një debat televiziv”, tha Syla. 

(Kosova Sot Online)