Dialogu në pauzë

  • E.K /
  • 24 December 2020 - 14:41
 Dialogu në pauzë

Qeveria në detyrë e Kosovës ende nuk ka sjellë ndonjë vendim lidhur me atë se a do të vazhdojë ose jo dialogu me Serbinë në Bruksel, derisa vendi është në procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund të ndikojnë në rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Radio Evropa e lirë, thotë se pavarësisht që Beogradi mund të jetë i gatshëm që të vazhdojë dialogun, kjo do të jetë e pamundur në këtë fazë.

Ai shpreh mendimin edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova pritet të ballafaqohet me problemin e zvarritjes së krijimit të përbërjeve të institucioneve të reja. Marrë parasysh këto, Mushkolaj nuk beson që të ketë vazhdim serioz të dialogut deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

“Çdo përpjekje edhe nga ana e qeverisë (në detyrë) apo kujtdo qoftë, që të krijojë përshtypje se kinse po vazhdon dialogu dhe kinse jemi në një situatë ku nuk ka ndodhur asgjë në raport me dialogun, është e gabueshme dhe nuk duhet të ndodhë. Më e mira e mundshme do të ishte që qeveria (në detyrë), për shkak të situatës së re të krijuar, t’ia bëjë të qartë ndërmjetësuesit, në këtë rast BE-së, që nuk është në gjendje që ta vazhdojë dialogun dhe se përpara dialogut ka çështje tjera shumë më të rëndësishme që t’i zgjidhë”, theksoi Mushkolaj.

Qeveria në detyrë pa vendim për dialogun, BE-ja pa përgjigje

Zyrtarë të delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë përgjigje, nëse dialogu do të vazhdojë ose jo derisa të kryhet procesi zgjedhor.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo qeveri ishte votuar, më 3 qershor, nga 61 deputetë. Gjykata ka dhënë arsyetimin duke thënë se vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka zhvilluar diskutimet me partitë politike, për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

(Kosova Sot Online)