Kadrijaj: Albin Kurti duhet të nisë takimet me partitë e tjera politike

  • A.P /
  • 24 June 2026 - 15:00
Kadrijaj: Albin Kurti duhet të nisë takimet me partitë e tjera politike

Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të nisë takimet me partitë e tjera politike për arritjen e një marrëveshjeje, pasi tashmë dihet qartë ndarja e ulëseve në Kuvend.

Kadrijaj tha se për të shmangur edhe një palë zgjedhje, Kurti duhet të jetë i gatshëm të arrijë një marrëveshje në të cilën parashihet edhe zgjedhja e presidentit të ri.

“Duhet një marrëveshje politike në të cilën të përfshihet edhe çështja e presidentit, sepse nëse nuk arrihet një marrëveshje politike që siguron 80 vota për zgjedhjen e presidentit, vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje, pasi brenda një viti kemi pasur tri palë zgjedhje. Zoti Kurti duhet të reflektojë, të ulet dhe të bashkëpunojë sinqerisht, t’i ftojë partitë e tjera politike dhe, ndoshta, të bëjë edhe koalicion me to. Duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por të formohen institucionet dhe të zgjidhet presidenti.”, tha Kadriaj për 21,

(Kosova Sot Online)