A do ta miratojë Turqia paktin për ekstradim me Kinën, rrezikohen ujgurët

  • E.K /
  • 29 December 2020 - 11:30
 A do ta miratojë Turqia paktin për ekstradim me Kinën, rrezikohen ujgurët

Kina e ka ratifikuar marrëveshjen për ekstradim me Turqinë, ndërsa tash është radha e kësaj të fundit që ta miratojë atë në kuvend. Grupet për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se ky pakt mund t’i rrezikojë familjet dhe aktivistët ujgurë që i kanë ikur përndjekjes nga shteti komunist.

Marrëveshja fillimisht ishte nënshkruar në vitin 2017, por gjatë fundjavës u formalizua në Kongresin Kombëtar. Mediet shtetërore kineze thanë se pakti do të përdoret për ta luftuar terrorizmin, shkruan The Guardian.

E përballur me kundërshtim të fortë në kuvend, qeveria turke ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen. Kritikët kanë bërë thirrje që pakti të braktiset dhe që ai të mos bëhet instrument i përndjekjes.

Përndjekja e pakicës ujgure nga autoritetet kineze është zgjeruar viteve të fundit. Ekspertët kanë thënë se kjo përndjekje është shndërruar në gjenocid kulturor. Besohet se mbi një milion njerëz janë duke u mbajtur në kampe që ngjajnë me burgje.

Ka gjithashtu dëshmi se Kina po zbaton programe të riedukimit, kufizime ndaj ushtrimit të lirive fetare dhe kulturore, programe për punë të detyrueshme, vëzhgim masiv dhe sterilizim të detyruar të grave.

Anëtarët e diasporës ujgure kanë dhënë dëshmi të përpjekjeve të koordinuara të Kinës për t’i kthyer individët në Xinjiang ose për t’i përdorur familjet në Kinë që t’i bindin familjarët që të heqin dorë nga aktivizmi.

Në anën tjetër, Turqia historikisht i ka mirëpritur ujgurët dhe myslimanët me prejardhje turkike që kanë ikur nga Kina. Në Turqi jetojnë rreth 50.000 ujgurë. Megjithatë, ky shtet viteve të fundit ka ndërtuar raporte më të ngushta me Kinën dhe ka ofruar asistencë për marrjen në pyetje të ujgurëve.

Ndonëse e refuzon dorëzimin e drejtpërdrejt të ujgurëve në Kinë, Turqia është akuzuar se i ka dërguar ata në një vend të tretë, si Taxhikistani, ku ekstradimi në Kinë është më i lehtë.

(Kosova Sot Online)