Britania e miraton për përdorim vaksinën e AstraZeneca-s dhe Oksfordit

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 08:41
Britania e miraton për përdorim vaksinën e AstraZeneca-s dhe Oksfordit

Vaksina e zhvilluar nga kompania “AstraZeneca” në bashkëpunim me shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit është miratuar për përdorim në Britaninë e Madhe.

Ky vendim do të sjellë zgjerim masiv të fushatës së vaksinimit në Britaninë e Bashkuar, e cila ditëve të fundit po përballet me një variant të ri të koronavirusit, i cili mendohet se është deri 70 për qind më ngjitës se variantet e mëparshme.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, që mjaftojnë për vaksinimin e 50 milionë banorëve, shkruan BBC.

Kjo vaksinë është zhvilluar në pjesën e parë të vitit dhe është testuar në vullnetarin e parë në muajin prill. Prej asaj kohe janë testuar mijëra persona.

Vaksina e Oksfordit është vaksina e dytë që është miratuar për përdorim në Britaninë e Madhe, pas vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Mbi 600.000 njerëz janë vaksinuar deri më tani në Britaninë e Madhe. Vaksina e AstraZeneca-s pritet ta rrisë shumë këtë numër, sepse është më e lirë dhe më e lehtë për t’u prodhuar në sasi të madhe.

(Kosova Sot Online)