Pësuan djegie të rënda nga shpërthimi në Ferizaj, nisen për Turqi edhe dy pacientët tjerë

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 14:45
Pësuan djegie të rënda nga shpërthimi në Ferizaj, nisen për Turqi edhe dy pacientët tjerë

Nga Aeroporti i Prishtinës janë nisur edhe dy pacientët tjerë të cilët do të dërgohen në Turqi për trajtim mjekësor, pas lëndimeve që kanë pësuar nga shpërthimi në Ferizaj.

Dy pacientë janë dërguar në Turqi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërkaq dy të tjerë janë nisur tani nga aeroporti i Prishtinës.

Ata do të trajtohen në Turqi pas lëndimeve që kanë pësuar nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi të martën në një restorant në Ferizaj.

Ndërkohë, anesteziologu Shaqir Uka, ka treguar për express se si është bërë përzgjedhja e 4 pacientëve që do ta vazhdojnë trajtimin shëndetësorë në Turqi.

Ai ka thënë se edhe gjendja e dy pacientëve tjerë që do të mbesin në QKUK është e rëndë, por që presin që ditëve në vazhdim edhe ata t’i transferojnë në spitalet në Turqi.

“Prej këtyre 6 personave që kanë qenë në klinikë është vendosur fillimisht që të 6’të të dërgohen për mjekim në Turqi, por nga ky shtet kanë thënë se për momentin munden t’i akomodojnë vetëm 4 pacientë. Dy nga pacientët janë dërguar, ndërsa dy pritet t’i dërgojmë gjatë ditës. Për momentin 4 pacientë janë në klinikë. Përzgjedhja fillestare e pacientëve për trajtim në Turqi është bërë nga autoritetet e konsilziumit të kirurgëve plastik dhe të klinikës. Andaj është vendosur që të dërgohen 4 pacientët që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)