Pasi Pfizer-BioNTech tha se nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Kosovën, reagon ish-Ministri i Shëndetësisë

  • A.P /
  • 08 January 2021 - 19:41
Pasi Pfizer-BioNTech tha se nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Kosovën, reagon ish-Ministri i Shëndetësisë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar pas përgjigjes së kompanisë Pfizer-BioNTech se nuk kanë marrëveshje të nënshkruar me Kosovën.

Ai këtë e ka konsideruar si alarmuese, teksa ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të dalë me një përgjigje për qytetarët.

“Qeveria duhet të dalë me sqarime të shpejta dhe të plota, dhe të na tregojë të gjithëve se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë dhe a ka një marrëveshje të nënshkruar. Përndryshe, e gjitha kjo nguti e Qeverisë për t’u deklaruar rrejshëm, do të provohet që ishte tentim për të bërë fushatë e aspak për t’u dalë në ndihmë qytetarëve – fatëkeqësisht”, ka shkruar Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e pati konfirmuar se kontigjenti i parë me vaksina do të arrijë në muajin shkurt.

“Sapo me erdhi emaili zyrtar se kontigjenti i parë i vaksinave do të vijnë në muajin shkurt. Ky është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Zemaj në emisionin “Debat” të RTK-së.

Postimi i plotë i Ismailit:

Është alarmuese përgjigja e kompanisë Pfizer-BioNTech për mediat kosovare se ende nuk kanë një marrëveshje të nënshkruar me Kosovën, dy ditë pasi që kryeministri deklaroi se tashmë vaksinat janë siguruar. Është e dhimbshme që, përderisa qytetarët e shteteve të rajonit kanë nisur vaksinimin kundër virusit, qytetarët e Republikës së Kosovës ende nuk e dijnë nëse do t’i marrin vaksinat këtë vit apo jo.

Prandaj, sonte, pa humbur kohë, Qeveria duhet të dalë me sqarime të shpejta dhe të plota, dhe të na tregojë të gjithëve se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë dhe a ka një marrëveshje të nënshkruar. Përndryshe, e gjitha kjo nguti e Qeverisë për t’u deklaruar rrejshëm, do të provohet që ishte tentim për të bërë fushatë e aspak për t’u dalë në ndihmë qytetarëve – fatëkeqësisht.

Qytetarëve u duhet një përgjigje sa më shpejtë! 

(Kosova Sot Online)