Joe Bideni godet keq Donald Trumpin: Na ka turpëruar në botë, mirë që s’po vjen në inaugurim

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 15:54
Joe Bideni godet keq Donald Trumpin: Na ka turpëruar në botë, mirë që s’po vjen në inaugurim

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka mirëpritur vendimin e paraardhësit të tij, Donald Trump, për të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rivalit në Shtëpinë e Bardhë.

“Një nga gjërat e pakta për të cilat ai dhe unë jemi pajtuar. Është gjë e mirë që ai nuk do të shfaqet”, tha Bideni gjatë një konference për gazetarë në vendlindjen e tij.

Ish-nënpresidenti amerikan shtoi se Trumpi është turp dhe i papërshtatshëm për ta udhëhequr kombin, shkruan Anadolu.

“Ai i ka tejkaluar edhe përshkrimet e mia më të këqija për të. Ai ka qenë turp për vendin, na ka turpëruar në tërë botën. Ai s’është i denjë për ta mbajtur atë zyrë”, shtoi Bideni.

Më herët, Trumpi ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë që do të mbahet më 20 janar, duke e prishur një traditë të vjetër të ndërrimit të pushtetit.

Në anën tjetër, Bideni tha se e mirëpret pjesëmarrjen e nënpresidentit në largim, Mike Pence, i cili kohëve të fundit është distancuar nga veprimet e Trumpit, i cili është përpjekur në shumë mënyra që ta refuzojë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

“Do të isha i nderuar që ta kem atë atje dhe të vazhdojmë përpara në procesin e tranzicionit”, tha Bideni për nënpresidentin në largim, Mike Pence.

(Kosova Sot Online)