Lutfi Haziri flet pas mbledhjes, tregon nëse do të bëjnë koalicione parazgjedhore

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 15:58
Lutfi Haziri flet pas mbledhjes, tregon nëse do të bëjnë koalicione parazgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së partisë. Pas kësaj mbledhje është deklaruar nënkryetari Lutfi Haziri i cili tha se do të përpiqen që në ditët në vijim ti kryejnë të gjitha obligimet ligjore dhe kushtetuese që u duhen për zgjedhje.

Haziri theksoi se LDK’ja në këto zgjedhje do të përfaqësohet me mera kredibil dhe që përfaqësojnë ideologjinë e kësaj partie.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim që ti përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK’së me u zbardh. Kanë me qenë emra kredibil, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën  e LDK’së duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë “, ka deklaruar ai.

Nënkryetari e pranoi se LDK’ja është duke biseduar edhe me parti të tjera për koalicione, teksa shtoi se kjo çështje do të finalizohet javën e ardhshme.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë,. Janë në bisedime. Kryetari i LDK’së dhe kandidati kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua ti diskutojë më shumë por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicion e me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë nënkryetari.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të  Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.

Kujtojmë që deri tek kjo situatë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, votë e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”.

(Kosova Sot Online)