Mobilizohet FBI: Një grup i armatosur synon të udhëtojë drejt Washingtonit para inaugurimit të Bidenit

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 14:12
Mobilizohet FBI: Një grup i armatosur synon të udhëtojë drejt Washingtonit para inaugurimit të Bidenit

Shërbimi sekret amerikan ka njoftuar se nesër do të fillojë me përgatitjet e posaçme të sigurisë për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden.

Kjo po bëhet më herët se që ishte planifikuar pas dhunës së javës së kaluar në Kongres, ku pesë persona u vranë dhje dhjetëra u arrestuan. Kësisoj, shërbimet amerikane të sigurisë nuk duan t’i lënë asgjë fatit, raporton Reuters.

FBI është duke parë rrezik për sigurinë në ditën kur Biden do të inaugurohet si president i shtetit më të fuqishëm në botë.

Byroja Federale e Hetimit të hënën i tha Zërit të Amerikës se po shqyrton prova që sugjerojnë se grupe ose individë mund të kërkojnë të nxisin dhunë ose të përfshihen në veprimtari kriminale në lidhje me transferimin e planifikuar të pushtetit.

“Ndërsa praktika jonë standarde është të mos komentojmë mbi produkte specifike të inteligjencës, FBI po mbështet shtetin tonë, partnerët lokalë dhe federalë të zbatimit të ligjit”, tha FBI në një deklaratë.

“Fokusi ynë nuk është te protestuesit paqësorë, por te ata që kërcënojnë sigurinë e tyre dhe të qytetarëve të tjerë me dhunë dhe shkatërrim të pronës”, shtohet në deklaratë.

Një buletin i FBI-së, i marrë së pari nga ABC News dhe Yahoo News, gjithashtu paralajmëron potencial të dhunës në Washington, si dhe në të 50 shtetet.

“FBI ka marrë informacion në lidhje me një grup të armatosur të identifikuar që synon të udhëtojë në Washington D.C., më 16 janar”, thuhej në buletin. “Ata kanë paralajmëruar që nëse Kongresi përpiqet ta heqë Trumpin përmes amendamentit të 25-të, do të ndodhë një kryengritje e madhe”.

Buletini paralajmëroi më tej se një grup po bën thirrje për sulme të ndërtesave shtetërore, lokale dhe federale nëse përpjekjet për ta hequr Trumpin nga zyra para përurimit të 20 janarit do të kenë sukses.

Ndërsa ata nuk komentojnë mbi kërcënimet specifike, agjencitë e tjera qeveritare po ndërmarrin hapa për ta forcuar sigurinë. 

(Kosova Sot Online)