OBSH dhe Gjermania i ofrojnë Kosovës pajisje medicionale në vlerë prej 2.17 milionë eurove

  • E.K /
  • 14 January 2021 - 13:47
OBSH dhe Gjermania i ofrojnë Kosovës pajisje medicionale në vlerë prej 2.17 milionë eurove

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë i ka dhuruar Kosovës donacion pajisje dhe produkte mjekësore.

Dhurimi i këtyre pajisjeve u bë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ky donacion do t’i ndihmoj shumë punëtorëve shëndetësorë gjatë punës.

Ai tha se donacioni përmban pajisje medicionale në vlerë prej 2.17 milionë eurosh.

“Ky donacion dhe ky bashkëpunim përmban shumë pajisje dhe produkte medicionale, vlera e tij është 2.17 milionë euro. Kur ke miq dhe partner si Gjermania, të cilët e ndihmojnë SHSKUK-në, ata ja lehtësojnë punën drejtorit dhe profesionistëve shëndetësore dhe na ndihmojnë ne që ta përmirësojmë sistemin tonë shëndetësorë”, tha Zemaj.

Zemaj tha se Kosova është një ndër vendet që e ka në menaxhim më të mirë pandeminë COVID-19.

Ai tha se do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë, derisa falënderoi shtetin gjerman për ndihmën.

Ndërsa, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se do ta ndihmojnë Kosovën me 100 ventilatorë në luftën kundër COVID-19, dhe se kanë ndarë 5 milionë euro për të mbështetur Qeverinë në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike.

Qeveria e Gjermanisë është e lumtur që ka mundësi të ndihmojë Kosovën me 100 ventilatorë në luftën kundër COVID-19. Ky donacion është pjesë e një donacioni edhe më të madh. Këtu ka disa pajisje mbrojtëse, kurse kemi ndarë edhe 5 milionë euro për të mbështetur Qeverinë këtu në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi ai.

Ai tha se e gjithë Evropa është duke u përballur me valën e dytë të virusit COVID-19, derisa bëri apel që qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse.

“E gjitha Evropa po përballet me një valë të dytë të COVID-19 dhe askush nuk është i sigurt. Dua të bëjë edhe njëherë apel për respektimin e masave të vëna nga Qeveria. Gjermania ka përjetuar dje numrin më të madh të vdekjeve, 1 mijë e 200 vdekje. Është shumë me rëndësi të ndiqen direktivat e dhëna nga institucionet”, shtoi ai.

(Kosova Sot Oline)