Vazhdon greva në Zyrën e Hotit

  • A.P /
  • 15 January 2021 - 17:45
Vazhdon greva në Zyrën e Hotit

Tre zyrtarë të Zyrës së Kryeministrit kanë njoftuar se kanë hyrë në grevë. Këshilli Grevist që përbëhet nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari dhe Arlinda Sejdiu-Likaj, po pretendojnë se ka pasur parregullsi në hartimin e Rregullores për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizim të Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit.

Sipas dokumentit që e ka siguruar  Këshilli Grevist është duke pretenduar se dokumenti të cilin e ka bërë Grupi Punues i përbërë prej dhjetë personash nuk është i njëjtë me atë që e ka nënshkruar kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

E si duket kjo grevë nuk do të ndalet deri në anulimin e kësaj rregulloreje. Përmes një reagimi për media, nga Këshilli Grevist është theksuar se janë duke e kundërshtuar këtë rregullore për shkak të shkeljeve ligjore që janë vërë gjatë hartimit të saj.

“Kjo Rregullore është duke u kundërshtuar për shkak të shkeljeve ligjore të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të hartimit të saj. Grevistët e vlerësojnë që kjo Rregullore përbën shkelje të shumta procedurale dhe materiale të legjislacionit në fuqi. Greva do të vazhdojë deri në Anulimin e Rregullores 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për këtë çështje është deklaruar edhe Hoti në konferencën e mbajtur sot. Ai ka thënë se draftimi i Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në zyrën që ai drejton, ka ndodhur si rezultat i Ligjit për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

“Ligji për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi në verë të vitit të kaluar, na ka obliguar edhe neve që të përgatisim Rregulloren për Organizim të Brendshëm të Zyrës së Kryeministrit në këtë rast dhe ministrive përkatëse. Ka ndodh një rikonstruim i Qeverisë me vendim të Kuvendit, ku janë shkrirë disa ministri dhe bashkimi i disa ministrive në një ministri të vetme dhe në bazë të ligjit jemi të obliguar të bëjmë riorganizimin e Administratës Shtetërore”, ka thënë Hoti.

Ai theksoi se në përputhje me Ligjin zyra e tij ka përgatit një rregullore për Zyrën e Kryeministrit, që ka kaluar në të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, duke shtuar se do të formojnë një komision të pavarur për të analizuar kërkesat e zyrtarëve të cilët kanë hyrë në grevë.

“Janë disa zyrtarë që janë të pakënaqur me këtë rregullore. Unë ju kam mundësuar atyre që të bëjmë një komision të pavarur që do të analizojë kërkesat e tyre, dhe pastaj nëse ky komision rekomandon kërkesat e tyre atëherë mund të shkojmë në plotësim ndryshim të kësaj rregullore”, tha Hoti. 

(Kosova Sot Online)