Shtohen masat para inaugurimit të Bidenit

  • A.P /
  • 17 January 2021 - 11:53
Shtohen masat para inaugurimit të Bidenit

Java e ardhshme është një ndër më të shumëpriturat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet ceremonia e betimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Autoritetet në Uashington dhe në shtetet tjera po përgatiten për inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Mijëra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare tashmë janë vendosur në Uashington. Autoritetet po planifikojnë që të mbyllin për qarkullim rrugë dhe ura që çojnë për në Uashington.

Guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Garda Kombëtare t’i ndihmojë zyrtarët lokalë të rendit.

Ndërsa, disa shtete amerikane tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, nga frika se mund të ketë protesta, të ngjashme si ato më 6 janar në Kongresin amerikan, ku mbetën të vdekur pesë persona.

Më 16 janar, në Uashington u arrestua një person i cili kishte tentuar që të kalonte një post-bllok të policisë, teksa në pronësi i ishte gjetur një armë dhe municion.

Ky person më pas është liruar ka raportuar Washington Post. Ai i kishte thënë autoriteteve se është kontraktuar që të punojë si sigurim, por ka harruar që në bagazhin e makinës së tij ka pasur një armë dhe municion. Policia më pas e ka liruar atë.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, qytetet po përgatiten për protesta potenciale.

Më 20 janar qindra mijëra njerëz, mes tyre dhe shumë krerë shtetesh do të ndjekin në Washington, marrjen e drejtimit të vendit më të fuqishëm në botë nga një tjetër lider që do e udhëheqë atë për të paktën 4 vite.

Biden do të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar. Presidenti në largim, Trump ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë ceremoni.

(Kosova Sot Online)