Rrjeti i supermarketeve në ShBA u ofron para punëtorëve që vaksinohen

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 15:24
Rrjeti i supermarketeve në ShBA u ofron para punëtorëve që vaksinohen

Rrjeti gjerman i supermarketeve “Aldi” të martën u bë kompania më e fundit që ofron pagesë nxitëse punëtorëve amerikanë që e marrin vaksinën kundër koronavirusit, duke thënë se do t’ua paguajë shumën sa për katër orë punë për ata që vaksinohen.

Rrjeti që ka mbi 2.000 dyqane në 37 shtete të ShBA-së tha gjithashtu se do t’i mbulojë shpenzimet për administrimin e vaksinës dhe zbatimin e vaksinimit në zyrat dhe hapësirat e saj, shkruan Reuters.

Javën e kaluar, kompania “Dollar General Corp” u ofroi punëtorëve të saj pagesë të ngjashme nxitëse për t’i inkurajuar që të vaksinohen, ndërsa kompania për shpërndarjen e ushqimit,  “Isntacart”, tha se do t’ua dhurojë nga 25 dollarë mbi 500.000 punëtorëve, nëse ata vendosin që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Rrjeti “Aldi” tha se është duke punuar me zyrtarët amerikanë në mbarë Shtetet e Bashkuara që t’u ofrojë punëtorëve qasje prioritare në vaksina, duke iu bashkuar kështu kompanive “Amazaon” dhe “Uber Technologies Inc” që gjithashtu kanë bërë hapa për t’ua lehtësuar punëtorëve qasjen në vaksinën anti-covid.

Sidoqoftë, shumica e korporatave në rrafshin botëror deri tani kanë qenë të heshtura në lidhje me sigurimin e dozave për punëtorët e tyre, ndonëse disa kompani indiane po e shqyrtojnë blerjen e vaksinave për punëtorët e vet, posa ato të jenë të gatshme në treg.

(Kosova Sot Online)