Sekuestrohen dy armë zjarri

  • E.K /
  • 21 janar 2021 - 12:09
Sekuestrohen dy armë zjarri

Policia e rajonit të Prishtinës është duke ndërmarrë një operacion për kapjen e personave të cilët po qarkullojnë me armë pa autorizim në parandalim të akteve kriminale.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për kapjen e personave që po qarkullojnë me armë pa autorizim dhe krejt kjo në funksion të parandalimit të akteve kriminale”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia, sot rreth orës 09:30, në rrugën “B” në Prishtinë, është ndaluar një veturë e tipit Golf VII, në të cilën policia ka ushtruar një kontroll të detajuar ndaj personave dhe veturës, në të cilën ka arritur që në brezin e të dyshuarit të gjej dhe sekuestrojë, një revole të tipit BERETTA, kalibër 9mm, si dhe tre copë fishek të kalibrit 9mm.

“I dyshuari, L.M, mashkull 33-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa në të njëjtën orë, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe një revole të tipit GECO mod225, të kalibrit 9mm, arma është sekuestruar në fshatin Llukar të Prishtinës në afërsi të oborrit të shkollës.

“Ndërlidhur me rastin policia ka iniciuar një hetim në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit”, ka bërë të ditur Policia.

(Kosova Sot Online)