SHBA pritet t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 12:24
SHBA pritet t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

Shtetet e Bashkuara synojnë t’i bashkohen programit global për shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet e varfëra, i njohur si COVAX.

Kështu i tha Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), këshilltari kryesor mjekësor në SHBA, Anthony Fauci.

Vendimin e mirëpriti shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se kjo është një ditë e mirë për OBSH-në dhe shëndetësinë në botë.

“Presidenti Biden do të lëshojë një urdhër i cili do të përfshijë synimin e Shteteve të Bashkuara për t’u bashkuar me programin COVAX “, tha përmes një video adresimi Fauci.

Përmes programit COVAX, dërgesa e parë e vaksinave në vendet e varfëra pritet të bëhet në muajin shkurt. Edhe Kosova synon të marrë vaksina nga ky program. Vendi pritet të furnizohet me vaksina për 20 për qind të popullësisë.

OBSH-ja ka ngritur shqetësime se vendet e pasura po furnizohen me një pjesë të madhe të vaksinave që janë në dispozicion, duke rrezikuar furnizimin e vendeve të varfëra.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump ndaloi financimin për OBSH-në dhe njoftoi për procesin e tërheqjes nga kjo organizatë deri në korrik të vitit 2021. Por, administrata e presidentit Biden ka vendosur të qëndrojë si anëtare në këtë organizatë.

(Kosova Sot Online)