Tërë bota pas vaksinave për Covid, por ky shtet thotë që s’e ka në plan t’i pranojë

  • G.G /
  • 02 February 2021 - 14:01
Tërë bota pas vaksinave për Covid, por ky shtet thotë që s’e ka në plan t’i pranojë

Në kohën kur shumë shtete po bëjnë luftë të ashpër për të siguruar sa më shumë doza të vaksinës kundër koronavirusit për popullsinë e tyre, një shtet në Afrikë duket se ka vendosur të tregohet më “i mençur”.

Ministria e Shëndetësisë e Tanzanisë, shtet në pjesën juglindore të Afrikës, ka thënë se nuk ka ndonjë plan që të pranojë vaksina kundër sëmundjes Covid-19. Kjo deklaratë erdhi disa ditë pasi presidenti i vendit me 60 milionë njerëz shprehu dyshime rreth efektit të vaksinave.

Ministrja e Shëndetësisë, Dorothy Gwajima, gjatë një konference për gazetarë tha se ministria që ajo e udhëheq nuk ka ndonjë plan që të pranojë vaksina kundër Covid-19, shkruan The Guardian.

Nuk është e qartë se kur mund të arrijnë vaksinat në këtë shtet, ndonëse Tanzania i plotëson kushtet për të qenë pjesë e programit global “Covax”, me të cilin synohet furnimizi i shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Në konferencën gjatë së cilës ajo dhe të tjerët nuk patën maska, ministrja këmbënguli se Tanzania është e sigurt nga virusi i ri.

Megjithatë, ajo bëri thirrje për përmirësim të praktikave higjienike, përfshirë përdorimin e dezinfektuesve dhe thithjen e avullit, për të cilën ekspertët shëndetësorë kanë thënë se nuk ndikon në luftimin e koronavirusit.

(Kosova Sot Online)