Vendi që “s’ka llogari” ta shpallë pavarësinë, do t’i kushtonte miliarda euro në vit

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 11:05
Vendi që “s’ka llogari” ta shpallë pavarësinë, do t’i kushtonte miliarda euro në vit

Ekonomia e Skocisë do të tkurrej për së paku 11 miliardë funte ose 12.5 miliardë euro në vit, nëse vendi bëhet i pavarur nga Britania e Madhe, ka parashikuar një ekip i ekonomistëve.

Në raportin e Shkollës Londineze të Ekonomisë dhe Universitetit City në Hong Kong thuhet se largimi nga tregu i përbashkët britanik do ta godiste ekonominë skoceze dy deri në tri herë më shumë sesa largimi nga BE-ja, duke e llogaritur vetëm ndikimin në ekonomi.

Duke lënë të kuptohet se efektet më të rënda ekonomike do të fillonin të vëreheshin pas disa dekadave, Qendra për Performancë Ekonomike, që funksionon si pjesë e Shkollës Londineze të Ekonomisë, tha se ndikimi i pavarësisë në tregtinë me Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në do ta tkurrte ekonominë e Skocisë nga 6.3 deri në 8.7 për qind.

Kjo do të ishte e barasvlershme me humbjen e 2.000 deri 2.800 funteve për kokë banori në vit. Duke marrë parasysh që Skocia ka rreth 5.5 milionë banorë, i bie që humbjet do të ishin nga 11 miliardë deri në 15.4 miliardë në vit, shkruan The Guardian.

Autorët e raportit theksuan se analiza e tyre e mbulon vetëm ndikimin e rritjes së kostove tregtare, por nuk përfshin masa të tjera ekonomike apo fiskale që do të vendoseshin pas pavarësisë, përfshirë ndryshimin e taksave.

Në raport thuhet se vendet tjera të Britanisë së Madhe janë partneret më të mëdha dhe më të rëndësishme tregtare të Skocisë, sepse përbëjnë 61 për qind të eksporteve dhe 67 për qind të importeve, që i bie rreth katër herë më shumë sesa tregtia me BE-në.

(Kosova Sot Online