Goran Rakiq thotë se KFOR-i nuk do ta lejojë Albin Kurtin e Vjosa Osmanin të shkojnë sërish në veri

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 11:55
Goran Rakiq thotë se KFOR-i nuk do ta lejojë Albin Kurtin e Vjosa Osmanin të shkojnë sërish në veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pret që KFOR-i në të ardhmen t’i ndalojë vizitat e politikanëve kosovarë në veri, sikurse ishte ajo që e bënë të shtunën e kaluar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Raqik, që është edhe zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës, e ka quajtur provokim vizitën e Osmanit dhe Kurtit në Mitrovicën e Veriut.

“Një provokim si ai në Mitrovicën e Veriut, gjatë ardhjes së paparalajmëruar të Kurtit dhe Osmanit, më shqetëson mua si dhe qytetarët. Unë besoj se KFOR-i nuk do të lejojë që situata të tilla të ndodhin përsëri”, tha Rakiq pë Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Para dy ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitën në veri të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar si fyerje e poshtërim për serbët, ndërsa i përgëzoi këta të fundit për sjelljen e treguar atë ditë.

Sikurse Vuçiqi, një ditë përpara tij kishte reaguar edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq. Ajo po ashtu i kishte falenderuar serbët për reagimin, ndërsa tha se Kurti dhe Osmani deshën të marrin poena politikë.

Për këtë vizitë kishte reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai tha se “plani i Kurtit dështoi”, ndërsa shtoi se lideri i LVV-së “dëshiron ta destabilizojë gjithë rajonin”.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e vizituan të shtunën minierën “Trepça” në veri, ndërsa u raportua se kjo vizitë u ndërpre pas një reagimi të serbëve lokalë.

Këtë e mohuan nga partia e Kurtit, por më pas dolën pamje ku shihet se vizita atje u përcoll me shumë tensione. 

(Kosova Sot Online)