Krejt çka dihet deri tani për plagosjen e kryetarit të 'Plisave'

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 08:18
Krejt çka dihet deri tani për plagosjen e kryetarit të 'Plisave'

Kanë dalur detaje rreth plagosjes së të riut në Prishtinë.

Mbrëmjen e djeshme në qendër të Prishtinës, në rrugën “UÇK” me së paku katër plumba është plagosur Rinor Graiqevci.

Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Kështu kanë deklaruar mjekët e QKUK-së të cilët po merren me trajtimin e Graiqevcit.

“Gjendja është stabile për momentin. Është jashtë rrezikut për jetë, Jemi duke i pritë rezultatet e analizave. Është plagosur në shpinë dhe ka disa plagë të ar’mës”, ka deklaruar doktoresha Krenare Makolli.

E edhe Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës e ka konfirmuar plagosjen e këtij personi.

Sipas Policisë sot rreth orës 21:00 janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit në këtë rrugë të Prishtinës.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, deklarojnë nga policia.

Të dyshuarit besohet se kanë qenë me skuter dhe kanë shtënë në drejtim të viktimës, ku si pasojë mori lëndime trupore.

(Kosova Sot Online)