Dhjetë ushtarë të Malit vriten në sulmin që dyshohet se u krye nga xhihadistët

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 11:06
Dhjetë ushtarë të Malit vriten në sulmin që dyshohet se u krye nga xhihadistët

Dhjetë ushtarë të Malit në Afrikë u vranë të mërkurën në rajonin e trazuar qendror, kur kampi i tyre u sulmua nga xhihadistët, thanë burimet e sigurisë.

Duke folur në kushte anonimiteti, një burim tha se pozicioni i ushtarëve në rajonin Mopti u sulmua nga persona të armatosur rëndë, që kishin ardhur me automjete të blinduara, shkruan France24.

Zyrtarët lokalë thanë se trupat e pajetë të ushtarëve janë kthyer në aeroport në Sevare nga një helikopter i forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, ndërsa të lënduarit janë dërguar në spital.

Burimi i sigurisë tha se kampi është dëmtuar seriozisht dhe se sulmuesit kanë arritur të ikin bashkë me shumë pajisje.

Një faqe propaganduese e afërt me grupin Al-Qaeda, e quajtur Tadayt, pretendoi se sulmi është kryer nga grupi GSIM, i vlerësuar si më i rrezikshmi nga shumë grupe xhihadiste që janë aktive në rajonin Sahel.

Ky sulm është pjesë e konfliktit brutal që e ka përfshirë Malin që nga viti 2012. Në konflikt janë vrarë mijëra ushtarë dhe civilë.

(Kosova Sot Online)