Autoritetet serbe thonë se po i vaksinojnë qytetarët nga Kosova me vaksinë anti-Covid

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 11:24
Autoritetet serbe thonë se po i vaksinojnë qytetarët nga Kosova me vaksinë anti-Covid

Në tre pika të ndara në Rashkë, Kurshumlijë dhe Bujanovc, dhënia e dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit për qytetarët nga zona e Kosovës do të fillojë sot, thuhet në një njoftim të publikuar nga e ashtuquajtura zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në njoftimin e kësaj zyre, thuhet se “sasi të mjaftueshme të vaksinave janë siguruar për të gjithë qytetarët e interesuar nga Kosova dhe Metohia”.

Deri më tani, më shumë se 7,000 qytetarë nga Kosova e kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit, thuhet në njoftimin e kësaj zyre. Për të gjithë ata, autoritetet serbe po organizojnë edhe transportin që të shkojnë të vaksinohen në Serbi.

Sipas kësaj zyre, qytetarë nga katër komuna në veri të Kosovës po vaksinohen në Rashkë, Bujanovc dhe Anamoravë të Kosovës. Gjithashtu, qytetarë nga Kosova qendrore po vaksinohen në Kurshumlijë, thuhet në njoftimin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

(Kosova Sot Online)