Policia deklarohet për rastin e qytetarit që akuzon Shpejtim Bulliqin për sulm fizik

  • E.K /
  • 10 February 2021 - 09:56
Policia deklarohet për rastin e qytetarit që akuzon Shpejtim Bulliqin për sulm fizik

Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga ngjarja ku kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dyshohet se kishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht një person dje.

Në raportin 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se dje rreth orës 09:35, në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, viktima mashkull kosovar ka njoftuar se derisa ishte duke kërkuar ndihmë mjekësore për nënën e tij në shtëpinë e shëndetit në Podujevë, nga i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se është sulmuar verbalisht dhe fizikisht.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq dje, Ramadan Zymeri qytetar i Podujevës e punonjës i Komunës atje e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, Shpejtim Bulliqin, me pretendimin se ky i fundit e ka sulmuar fizikisht gjatë kohës sa po provonte të merrte shërbime në QKMF’në e Podujevës.

Zymeri në një prononcim për media dje ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke thënë se Bulliqi e kishte sulmuar verbalisht e fizikisht pasi që e kishte parë në objektin e QKMF’së.

Ai ka treguar se aty kishte shkuar për të kërkuar ndihmë meqë nënë e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore me këmbë të amputuara.

Megjithatë ka thënë se një gjë e tillë nuk i kishte bërë përshtypje Bulliqit, i cili vetëm e kishte pyetur se pse nuk ishte në vendin e punës por në Ambulancë.

“Kam shku me kërku shërbim për nënën, sepse ia kanë amputuar këmbët para dhjetë dite. Ai kishte qenë aty për vizitë, dhe më ka parë mua aty, e më tha se çka po kërkon këtu. I tregova për nënën time, se e ka punën kështu kështu, erdha me e marr një shërbim. Më pyeti pse s’je në punë, nuk i lente përshtypje nëna ime 90 vjeç, pa kurrfarë ndjesie për ndaj rastit të nënës sime. Edhe pse e njeh nënën time”, ka thënë Zymeri.

(Kosova Sot Online)