Bënë Photoshop sikur kanë arritur në majë, çiftit indian i ndalohet ngjitja në Everest

  • A.P /
  • 13 February 2021 - 16:11
Bënë Photoshop sikur kanë arritur në majë, çiftit indian i ndalohet ngjitja në Everest

Dy shtetasve indianë u është ndaluar për gjashtë vjet ngjitja në Malin Everest në Nepal pasi gënjyen se kanë arritur deri në majën e malit më të lartë në botë.

Pas hetimeve u zbulua se ngjitja e personave të quajtur Narender Singh Yadav dhe Seema Rani Goswami më 2016 ka qenë e rreme, ndonëse ishte pranuar si e vërtetë nga Departamenti i Turizmit në atë kohë.

Përpos çiftit, ngjitja në malin e famshëm iu ndalua edhe udhëheqësit të ekipit të alpinistëve, sepse asnjëri nuk arriti të ofronte dëshmi të vërtetueshme për ngjitjen e tyre deri në majë, shkruan Daily Mail.

Yadav ishte propozuar për një çmim prestigjioz në vendlindje, por kur u përhap lajmi për veprimin e tij, ai u largua nga lista dhe certifikata e ngjitjes iu tërhoq.

Fotografia origjinale (majtas) u përdor për montimin jo fort profesional (djathtas)

Një zëdhënës i Ministrisë së Turizmit në Nepal tha se pas hetimeve dhe pas marrjes në pyetje të alpinistëve të tjerë, është zbuluar se çifti indian kurrë nuk kishte arritur në majën e malit.

“Ata nuk mundën të ofrojnë asnjë dëshmi të ngjitjes së tyre në majë. Madje, ata dështuar të ofrojnë edhe fotografi të besueshme të tyre në majë”, tha ky zëdhënës.

Për këtë mashtrim u dënua edhe organizuesi i ngjitjes, i cili do të duhet të paguajë një gjobë prej 50 mijë rupish ose rreth 500 euro.

Ngjitja në majën më të lartë në botë – 8.848 metra – cilësohet si një ndër sukseset më të mëdha që një alpinist mund të arrijë. Sidoqoftë, një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë për shkak të terrenit shumë të vështirë.


(Kosova Sot Online)