Vjosa Osmani e Albin Kurti te varri i Adem Demaçit: Simboli i rezistencës shqiptare, nuk është thyer asnjëherë

  • E.K /
  • 17 February 2021 - 10:29
Vjosa Osmani e Albin Kurti te varri i Adem Demaçit: Simboli i rezistencës shqiptare, nuk është thyer asnjëherë

Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani bashkë me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje bënë homazhe edhe pranë varrit të veprimtarit kombëtar, Adem Demaçi.

Osmani tha se Demaçi është simboli i rezistencës së shqiptarëve, i cili para lirisë individuale ka vendosur lirinë kolektive.

“Sapo nderuam simbolin e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë. Njeriun i cili para lirisë individuale e vendosi lirinë kolektive dhe para interesit të vet, e vendosi interesin e përgjithshëm. Veprimtarin e çështjes kombëtare, zotëri Adem Demaçi”, tha Osmani.

Ndërsa, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Demaçi është shqiptari që nuk është thyer dhe dorëzuar asnjëherë.

“Me të drejtë baca Adem Demaçi është quajtur Mandela shqiptar, por unë do të thoja se as më Evropë nuk ka një shembull të ngjashëm me 28 vite burg është shqiptari që ka vuajtur më së gjati, por që edhe që nuk është thyer dhe dorëzuar asnjëherë”, tha ai.

Osmani dhe Kurti në 13 -vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet, kanë bërë homazhe edhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

(Kosova Sot Online)