Ish-ministri francez dënohet me burgim për sulm s*ksual ndaj anëtares së stafit

  • G.G /
  • 18 February 2021 - 12:47
Ish-ministri francez dënohet me burgim për sulm s*ksual ndaj anëtares së stafit

Ish-ministri francez, Georges Tron, është dënuar me pesë vjet burgim pasi një gjykatë e apelit e shpalli fajtor për dhunim dhe abuzim seksual ndaj një anëtareje të stafit.

Dy ish-punëtore në organet rajonale e kishin akuzuar për sulm seksual ish-ministrin Tron, duke thënë se ai i kishte detyruar që t’u bënte masazh të këmbëve, që më pas u kthyen në sulme seksuale më 2007 dhe 2010.

Tron u lirua nga akuzat në vitin 2018 pasi një gjykatë vlerësoi se nuk ka dëshmi që gratë janë detyruar për të kryer akte seksuale, por gjatë një seance që u mbajt këtë javë, gjykata vendosi t’i mbajë në fuqi akuzat e njërës prej ankueseve.

Në vendimin e gjykatës thuhet se serioziteti i akuzave, mohimi i vazhdueshëm nga ana e të pandehurit dhe trysnia e ushtruar ndaj dëshmitarëve dhe viktimave e arsyetojnë dënimin me burgim, shkruan The Guardian.

“Kjo është një fitore e madhe për të gjitha gratë që mund të kenë probleme në vendin e punës”, tha avokati Vincent Ollivier pas vendimit të gjykatës.

Pas 11 orëve të diskutimeve, gjykata e dënoi ish-ministrin me pesë vjet burgim, dy prej të cilëve u pezulluan. Dënimi ishte më i rëndë sesa kërkesa e prokurorit. Ai u lirua nga akuzat e ankueses tjetër.

(Kosova Sot Online)