A ua la shenjë largimi i Vjosa Osmanit nga LDK dhe pse po garon për kryetar të LDK’së, krejt çka tha Quni

  • S.A /
  • 20 February 2021 - 08:03
A ua la shenjë largimi i Vjosa Osmanit nga LDK dhe pse po garon për kryetar të LDK’së, krejt çka tha Quni

Ish-ministri dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, Anton Quni, ka konfirmuar kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Quni ka folur edhe për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, rënien e Qeverisë Kurti dhe largimin e Vjosa Osmanit nga kjo parti.

Anton Quni nga LDK’ja ka deklaruar se do jetë kandidat për postin e kryetarit të LDK’së.

Quni e ka konfirmuar kandidaturën ekskluzivisht në emisionin ‘Pressing’ në T7, teksa ka thënë se do ta rikthejë votuesin e LDK’së.

“Jam kandidat për kryetar të LDK’së. Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i futem kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehë mosbesim ndaj LDK’së. Ata që kanë dalë në VV, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

“Jam i vetmi që jam deklaruar që nga momenti kur Isa Mustafa është larguar nga përgjegjësitë, të gjithë anëtarët e Kryesisë që në Kuvendin e radhës unë do të jem kandidat për kryetar të LDK’së”, ka shtuar tutje Quni.

Komentet e tij vijnë pas kërkesës për dorëheqje të kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës. Quni, deri më tani është kandidati i parë që e ka bërë të ditur publikisht kandidaturën e tij për këtë post.

Në mesin e emrave të përmendur deri më tani kanë qenë edhe Lutfi Haziri, Kujtim Shala, e emra të tjerë.

Ai ka folur edhe për dështimin e LDK’së në këto zgjedhje ai tha se ende nuk kanë bërë analizë reale, por se ishte i pari i partisë ai që mori përgjegjësinë duke liruar detyrën.

Ai ka thënë se kryesia e LDK’së mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

 “Fakti që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka paralajmëruar dorëheqjen dhe lirimin nga të gjitha përgjegjësitë, po ashtu edhe gatishmëria e të gjithë anëtarëve të kryesisë së LDK’së që janë në Kryesi në dorëheqje do të thotë që ekziston marrje e përgjegjësive për dështimet në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit”, është shprehur Quni në Pressing.

Tutje, ai tha se në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti në LDK, pritet një analizë sa më objektive.

“Nuk është bërë ndonjë analizë empirike, më shumë jemi marrë çka tutje. Pres që do të bëhet një analizë sa më objektive”, theksoi ai.

“Jam i bindur që Kurti e ka parashikuar këtë ditë”, Quni flet për rënien e Qeverisë Kurti

Quni ka folur edhe për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe shkarkimin e Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme. Ai dyshon se e gjithë kjo që ndodhi vitin e kaluar ishte plan nga i pari i VV’së.

“Unë jam më se i bindur se z.Kurti e ka parashikuar reagimin tonë”, thotë Quni.

 “Nuk është që është amator (Albin Kurti) në skenën politike”, theksoi ai.

“A e ka bërë me qëllim që ne të reagojmë dhe të vijë deri te prishja e partneritetit e pastaj të ndërmerr masat me tërë atë luftën propagandistike, atë luftën speciale që me ardh deri te kjo situatë ku ka siguruar një shumicë të votave në parlamentin e Kosovës, kjo është çështje që duhet me u studiu”, tha Quni.

“Që të plotësohet kjo problematikë është edhe qëndrimi i zonjës Osmani”, tha ai.

Quni për largimin e Vjosa Osmanit: Jo që na ka lënë shenjë, por na ka përgjysmuar

Ai e ka komentuar largimin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike.

Sipas tij, largimi i saj e ka dëmtuar LDK’në në atë masë, sa që iu janë përgjysmuar votat këtij subjekti politik.

 “Jo që na ka lanë shejë, por e ka përgjysmu Lidhjen Demokratike të Kosovës. E ka humbur përgjysmë forcën e Lidhjes Demokratike”, ka deklaruar ai.

“Mund të them që ajo ka qenë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, ku duhej ta gjenim mënyrën për të mos ardhur deri te transformimi i qeverisë. Ajo nuk ka ndërruar qëndrim”, ka thënë tutje Ministri i Mbrojtjes në detyrë.

“Ajo më këmbëngulësinë e saj, ajo thjesht, filloi të identifikohej si personalitet që tani fillon të krijojë favore për Lëvizjen Vetëvendosje. Pastaj filluan zëra brenda Kryesisë ku thuhej se Osmani është kundër interesave të kryesisë së LDK’së, derisa ne u sfiduam si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar për lirim e saj nga përgjegjësitë që i ka bartur në LDK”

“Nuk ishte përjashtim, ajo ishte nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm në LDK. Nuk më kujtohet saktë formulimi por bëhej fjalë për nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë. Edhe këtë hap e kam parë të gabueshëm që do të krijojë pasoja dhe prandaj nuk kam votuar që Osmani të largohet. Kam votuar kundër”.

Quni tregon rrjedhën e ngjarjeve në LDK deri te shkarkimi i Osmanit: Unë votova kundër

Kandidati për deputet ka treguar rrjedhën e ngjarjeve prej kur Osmani doli kundër qëndrimeve të Kyresisë së LDK’së e deri në largimin e saj nga dy pozita brenda partisë.

Quni tha se gjithçka kishte filluar kur ajo ishte bërë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, që të mos transformohej qeveria kur qeverisej nga koaliconi VV-LDK.

“Mund të them që ajo ka qenë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, ku duhej ta gjenim mënyrën për të mos ardhur deri te transformimi i qeverisë. Ajo nuk ka ndërruar qëndrim”, është shprehur Quni.

Tutje, ai tha se Osmani filloi të identifikohet si personalitet që fillon të krijojë favore për VV’në. Si rezultat, Kryesia e LDK’së u sfidua që Osmani të largohet ose jo nga pozita e nënkryetares dhe anëtarës së Kryesisë.

“Ajo më këmbëngulësinë e saj, ajo thjesht, filloi të identifikohej si personalitet që tani fillon të krijojë favore për Lëvizjen Vetëvendosje. Pastaj filluan zëra brenda Kryesisë ku thuhej se Osmani është kundër interesave të kryesisë së LDK’së, derisa ne u sfiduam si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar për lirim e saj nga përgjegjësitë   që i ka bartur në LDK”, ka thënë Quni.

Quni insistoi se nuk ishte përjashtim nga LDK’ja, vec një shkarkim nga dy pozita brenda LDK’së. Megjithatë, Quni tha se ka votuar kundër që Osmani të lirohet nga këto pozita.

“Nuk ishte përjashtim, ajo ishte nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm në LDK. Nuk më kujtohet saktë formulimi por bëhej fjalë për nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë. Edhe këtë hap e kam parë të gabueshëm që do të krijojë pasoja dhe prandaj nuk kam votuar që Osmani të largohet. Kam votuar kundër”, shtoi Quni.

Quni thirrje Vjosa Osmanit: Ktheju LDK’së nëse vërtetë je rugoviste

Quni i ka bërë thirrje Osmanit që të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Thotë se në LDK, Osmani do të kishte ndihmën e tij të pa rezervë.

“Nëse Vjosa Osmani në shpirtin e saj, në edukatën e saj bartë filozofinë rugoviane, bart rugovizëm, çmon vlerat e LDK’së, personalisht i bëj thirrje që ajo t’i kthehet gjenezës, t’i kthehet Lidhjes Demokratike të Kosovës’, tha Quni.  “Ajo mund të sfidohet në dy drejtime, a dëshiron të bëhet presidente që e ka të garantuar nga z.Kurti apo dëshiron t’i kthehet shtëpisë së saj, për të cilën ajo ka thënë se është rrit brenda saj’, theksoi Quni.

“Nëse është kjo e dyta ajo do e ketë ndihmesën time, pa asnjë rezervë”, tha Quni.

(Kosova Sot Online )