Kosova i kundërpërgjigjet Rusisë: Po tenton ta rrënojë ndikimin perëndimor në rajon

  • A.P /
  • 28 February 2021 - 11:16
Kosova i kundërpërgjigjet Rusisë: Po tenton ta rrënojë ndikimin perëndimor në rajon

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave që erdhën nga Rusia, ku u shpreh mbështetja e Kremlinit në atë që Serbia e përsërit, se “Kosova është Serbi”. MPJ, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se Rusia po synon ta rrënojë ndikimin perëndimor e ta imponojë ndikimin e saj në rajon, raporton Gazeta Express.

Një ditë më parë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova publikoi një fotografi me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’.

Kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës sikur nuk i mjaftoi Zakharovës që u shpreh se përpjekja për të normalizuar në formë të përshpejtuar raportin mes Prishtinës dhe Beogradit, është shkatërruese.

“Ne e konsiderojmë çdo përpjekje për të përshpejtuar të ashtuquajturën normalizim përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe vendosjen e një afati kohor arbitrar për arritjen e kësaj si shkatërruese. Është më e rëndësishme të koordinohet një plan i zbatueshëm që gjithashtu do të pranohet nga publiku”, shkroi Zakharova në rrjetin social Twitter.

Ndërsa MPJD, ka përmendur disa fakte të synimit të Rusisë për ta shtrirë ndikimin e saj.

“Prej fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, përmes veprimeve të saj Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë arritjen e një marrëveshje”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e MPJD-së.

Komunikata e plotë:

RUSIA SYNON TË RRËNOJË NDIKIMIN PERËNDIMOR E TA IMPONOJË ATË RUS NË RAJON

Nuk është për t’u habitur me deklaratat që vijnë nga Ministria e Jashtme ruse kundër Kosovës, e cila i konsideron partitë shqiptare nacionaliste. MPJD konsideron se të gjitha partitë shqiptare në Kosovë kanë orientim të qartë pro-perëndimor dhe Euro-Atlantik.

Javën e kaluar, Republika e Kosovës ka shënuar 13 vjetorin e mëvetësisë së saj. Edhe pse Rusia ka qenë e përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës bashkë me 5 vende të tjera të Grupit të Kontaktit, në fund prishi konsensusin duke kërcënuar me VETO çdo rezolutë në KS të OKB që do të mundësonte krijimin e shtetit të Kosovës.

Më 2010 Rusia sërish doli kundër opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, edhe pse Serbia, me mbështetjen e Rusisë kishte insistuar përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB për një opinion nga GJND.

Prej fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, përmes veprimeve të saj Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë arritjen e një marrëveshje.

Ndërtimi i një baze “humanitare” në Nish në afërsi me Kosovën, nisja e trenit të sponsoruar nga Rusia për t’u futur dhunshëm në Kosovë, organizimi i incidenteve në veri të vendit nga pjesëtarë rusë të UN në Kosovë, sponsorizimet ruse për të prodhuar “fake news” në Kosovë dhe rajon, angazhime serioze të diplomacisë ruse për të kushtëzuar shtete dhe

udhëheqës të caktuar për të ‘tërhequr njohjen e Kosovës’, si dhe shumë veprime të tjera publike dhe jopublike në forume të ndryshme ndërkombëtare, tregojnë qartë për tendencën përçarëse ruse për të penguar procesin e pajtimit dhe ta prishur paqen në rajon. Në këtë mënyrë Rusia synon të rrënojë ndikimin perëndimor dhe ta imponojë atë rus.

Për interesat e saj, Rusia është përpjekur ta përdorë rastin e Kosovës për ta krahasuar me raste të tjera në botë, si në Gjeorgji dhe Ukrainë dhe kriza të tjera në Kaukaz dhe gjetiu, por në secilin rast ka dështuar.

Pavarësia e Kosovës ka ardhur si rrjedhojë e një procesi, i cili ka kaluar nëpër gjithë nivelet e sistemit ndërkombëtar. Legjitimiteti i shtetit të Kosovës ka marrë edhe vlerësimin unanim të GJND, se ky proces është bërë në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Është njohur nga 117 shtete të pavarura. Si shtet i ri dhe demokratik, Kosova përgjatë këtyre 13 vjetëve është dëshmuar si vend përgjegjës dhe serioz, që në vazhdimësi synon të avancojë marrëdhëniet e mira fqinjësore, rajonale dhe me gjerë.

Ditë më parë, Kosova mbajti zgjedhjet e saja të jashtëzakonshme. Ndonëse në rrethana pandemie, me procesin zgjedhor të 14 shkurtit, institucionet dhe populli i Kosovës dëshmuan se ndajnë vlera demokratike evropiane, ku vlerësohet dhe respektohet ligji dhe fjala e popullit. Këto zgjedhje ishin model për rajonin dhe ndoshta edhe për shumë vende perëndimore.

Pavarësisht ndryshimeve politike demokratike, Kosova gëzon koncensusin e gjerë për përkushtimin për dialog për njohje reciproke me Serbinë, mbi parime të përcaktuara të respektimit të integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterit unitar të saj, në afat kohor të kornizuar, dhe me epilog të definuar – njohja reciproke si e vetmja zgjidhje që garanton stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në rajon.

(Kosova Sot Online)