Akuza tronditëse nga Shkumbin Mehmeti – publikohet një dorëshkrim i tij ku akuzon me emra ata që u “morën vesh për vrasje në Dukagjin”

  • G.G /
  • 01 March 2021 - 13:03
Akuza tronditëse nga Shkumbin Mehmeti – publikohet një dorëshkrim i tij ku akuzon me emra ata që u “morën vesh për vrasje në Dukagjin”

Dëshmitari i mbrojtur nga Prokuroria Speciale, Shkumbin Mehmeti, gjatë një interviste televizive kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës nga grupe kriminale të organizuara.

Ai gjatë asaj interviste ka përmend edhe disa emra, e ndër emrat që përmenden ishte edhe emri i Ramush Haradinajt.

Në atë kohë, pra në vitin 2018, Ramush Hardinaj ishte kryeministër i Kosovës, i cili kishte reaguar pas intervistës së Mehmetit.

Haradinaj pas një mbledhje të Qeverisë ishte pyetur edhe për deklaratat e dëshmitarit të Prokurorisë Speciale Shkumbin Mehmeti i cili ka akuzuar për vrasjet e pasluftës  shumë persona nga rajoni i Dukagjinit.

Haradinaj para mediave kishte thënë se është i habitur me deklaratat e Mehmetit.

“Një person nga burgu me dhanë interviste është e çuditshme. Të gjitha deklaratat ishin dashur me qenë materie e prokurorëve dhe gjyqtarëve jo me u na spektakël medial. Unë se kam parë intervisten por dëgjova komente e reagime dhe jam habit”, kishte thënë ish-kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se në sisteme të drejtësisë serioze nuk lejohet që një person nga burgu të japë një intervistë të tillë në media.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, kanë publikuar një dorëshkrim, që sipas tyre është i Shkumbin Mehmetit.

Sipas kësaj letre të publikuar nga familja Imeri, Shkumbin Mehmeti dëshmon: “Qerim Kelmendi dhe Ramush Haradinaj janë marrë vesh të kryejnë vrasje në Dukagjin!”

Po ashtu ai dëshmon se Ibrahim Kelmendi e ka njeriun më të afërt Fanol Bardhin “Noli” dhe “Figura”!

(Kosova Sot Online)