Jovanoviq nuk është më në krye të DFC-së në Beograd

  • A.P /
  • 02 March 2021 - 21:48
Jovanoviq nuk është më në krye të DFC-së në Beograd

John Jovanoviq nuk është më në krye të zyrës rajonale amerikane Korporata për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë Jovanoviq, i cili në një konferencë online të Fondacionit Ana dhe Vlade Divac “Filantropia nuk ka kufij”, ka theksuar që më nuk është në funksionin e drejtorit të zyrës së DFC-së në Beograd, raportoi agjencia e lajmeve Tanjug.

“Këtu jam në kapacitet privat, sepse ditë më parë jam larguar nga detyra e drejtorit të zyrës së DFC-së në Beograd”, ka thënë Jovanoviq në konferencë.

Ai theksoi se DFC-ja ka një udhëheqje të re të zyrës në Uashington, e cila, siç tha ai, do të vazhdojë punën në Ballkanin Perëndimor.

“Kam nderin që me hapjen e zyrës në Beograd kemi vendosur themelet për angazhim serioz ekonomik të SHBA-së në Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Deklaratat, ditë më parë, të udhëheqjes së re tregojnë dëshirën për punë të DFC-së në Serbi dhe rajon. Jam krenar për suksesin gjatë gjashtë muajve të fundit në Serbi dhe rajon”, theksoi Jovanoviq.

Lidhur me këtë rast, i ka dërguar pyetje ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Zyra e DFC-së është hapur në Beograd pas arritjes së Marrëveshjes për normalizim ekonomik të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)