Stacioni i trenit i kthyer në strehë për Familjen Kryeziu

  • A.P /
  • 04 March 2021 - 23:30
Stacioni i trenit i kthyer në strehë për Familjen Kryeziu

Sipas MPMS është shtuar numri i personave të cilët përfitojnë asistencë sociale në 103 mijë.

Muret e objektit te stacioni i trenit në Prizren, janë kthyer në strehën e tyre të vetme.

Veçse këto mure familjen Kryeziu nuk po i mbajnë as ngrohtë e as sigurt.

E zonja e shtëpisë, rrëfen për vështirësitë e të rriturit të dy fëmijëve- njëri gjashtë e tjetri dy vjet, brenda këtij ambienti.

Për dy muaj kjo familje është duke jetuar në këtë shtëpi të improvizuar.

Megjithë përpjekjet për mbijetesë, familja Kryeziu ka të vështirë të funksionojë në këtë formë.

Kjo pasi që asistencës sociale që e marrin, kryesisht thonë se po e shpenzojnë në barna, për shkak të problemeve shëndetësore.

Gruaja ka një hall dhe kërkesë të vetme; një ambient më të përshtatshëm ku do të rriten fëmijët e saj.

Njëjtë si familja Kryeziu, në tërë Kosovën jetojnë edhe 17.6% e popullësisë në varfëri absolute, të cilët kanë vetëm 1 euro e 80 cent për ditë.

Ndërkohë sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, 5.3% e popullësisë jetojnë me më pak se 1 euro e 30 cent në ditë.

Pandemia ka ndikuar në shtimin e kërkesave për asistencë sociale.

Përderisa një vit më parë përfitues të asistencës sociale ishin 98 mijë e 700 persona, ky numër është shtuar ne 103 mijë.

(Kosova Sot Online)