BE ”shuan” shpresat për Shqipërinë, korrigjon deklaratën: Duhen përmbushur kushtet plotësisht

  • A.P /
  • 05 mars 2021 - 19:49
BE ”shuan” shpresat për Shqipërinë, korrigjon deklaratën: Duhen përmbushur kushtet plotësisht

Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian janë miratuar raportet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me këto raporte, duke marrë parasysh se janë përmbushur të gjitha kushtet, Parlamenti kërkoi që për të dyja shtete të nisin negociatat e anëtarësimit pa vonesa të reja.

Sa i përket Shqipërisë, përmes këtij raporti është përshëndetur përkushtimi i Tiranës zyrtare për integrimin evropian, fqinjësi të mirë dhe zbatimin e reformave që lidhen me procesin e integrimeve.

Një deklaratë e Parlamentit Europian paraditen e sotme, një ditë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, shtoi shpresat se Shqipëria do të ishte gati për të nisur rrugëtimin drejt BE.

Në njoftimin zyrtar të Brukselit thuhej se me miratimin e raporteve, duke marrë parasysh se janë përmbushur të gjitha kushtet, Parlamenti kërkon që të dy shtetet të nisin negociatat e anëtarësimit pa vonesa të reja.

Por entuziazmi zgjati shumë pak. Disa orë më pas, reporteri për Shqipërinë në PE , David Lega kërkoi korrigjimin e njoftimit të PE.

Përmes një postimi në Twitter, Lega shkroi se njoftimi nuk përmbante një pjesë thelbësore,  ku thuhet se, “pasi të përmbushi të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli Europian”.

“Në njoftimin për shtyp të PE-së mbi raportin për Shqipërinë thuhet se ne mbështesim mbajtjen e konferencës  ndërqeveritare sa më parë dhe fillimin e negociatave të pranimit pa vonesa të mëtejshme. Por harron të përmendë “… duke ndjekur përmbushjen e plotë të kushteve të vendosura nga Këshilli i Europian”. Ky është një gabim faktik, shumë i rëndësishëm pasi kushtëzimi është jetik në këtë kontekst”, shkruan ai.

Njoftimi  për shtyp do të plotësohet  me kërkesën time, përfundoi Lega.

E pyetur mbi këtë çështje nga gazetarja e ABC në Bruksel, reporterja e PE për Shqipërinë, Isabel Santos, thotë se sipas saj kushtet e para për Shqipërinë janë përmbushur.

“Të gjitha kushtet janë përmbushur. Sigurisht, që ky nuk është fundi i maratonës. Është një fillim i ri. Këto kushte të para janë përmbushur, por natyrisht ka shumë kushte të tjera për të ardhmen, por ky është proces në vijim. Konferenca e parë ndërqeveritare nuk është fundi i procesit”, thotë Santo.

Duke iu referuar kërkesës së David Lega, për Korrigjim të deklaratës zyrtare, Santos përgjigjet se nuk është në dijeni dhe se do ta verifikojë atë me  shërbimet e parlamentit. Ndërsa kolegun Legën e konsideron si raportues në hije.

“Kolegu im nuk është raportuesi. Ai është raportuesi në hije. Nuk jam në dijeni të kësaj deri tani. Do ta shoh. Por ajo që është e vlefshme është ajo që them. Sigurisht që e di që disa kolegë konsiderojnë, se kushtet nuk janë përmbushur ende për etapën aktuale”, thotë ajo.

Më pas komisioni i jashtëm i PE korrigjoi deklaratën zyrtare duke shtuar frazën e kërkuar nga David Lega.

(Kosova Sot Online)