Mediat ruse: Adoleshentët estonezë po përgatiten për luftë me Rusinë

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 11:47
Mediat ruse: Adoleshentët estonezë po përgatiten për luftë me Rusinë

Gjithnjë e më shumë adoleshentë estonezë janë duke bërë trajnime për të marrë pjesë në një luftë të mundshme me Rusinë, thanë disa ekspertë për televizionin Russia Today.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Kale Lanet theksoi se ka një rritje të numrit të të rinjve që janë të gatshëm të marrin pjesë në rezistencë. Sipas rezultateve të një sondazhi, pjesa e tyre u rrit nga 54% në 63%.

Sipas ekspertëve, raportojnë mediat ruse, “Rusofobia po rritet në këtë shtet baltik, i cili ushqehet nga autoritetet zyrtare, që përpiqen ta frikësojnë popullatën duke folur për rrezikun që vjen nga jashtë”.

“Miti i kërcënimit rus është bërë një mani e autoriteteve estoneze dhe falë propagandës së madhe, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është infektuar me alarmizëm rusofobik”, thotë Leonid Vardomsky, ekspert rus nga Instituti i Ekonomisë së Akademisë Ruse të Shkencave.

Ai tha se autoritetet estoneze po përpiqen ta largojnë vëmendjen e qytetarëve të tyre nga problemet e brendshme.

Vladimir Vorotnikov, ekspert nga Instituti për Kërkime Ndërkombëtare në Universitetin MGIMO, beson se kjo nuk është hera e parë që autoritetet estoneze, në mesin e popullsisë së tyre, paraqesin Rusinë si armike.

Më parë, ministri estonez i Mbrojtjes, Kale Lanet deklaroi se Moska përfaqëson kërcënimin më të madh për sigurinë e vendit. 

(Kosova Sot Online)