Kurti insiston se dialogu s’është prioritet, Vuçiqi pret që në fillim të majit të takohet me të

  • A.P /
  • 07 mars 2021 - 13:05
Kurti insiston se dialogu s’është prioritet, Vuçiqi pret që në fillim të majit të takohet me të

Në fund të këtij muaji Kurti pritet të zgjidhet kryeministër i Kosovës. Por problemin me Serbinë, për të cilin Kosova njihet më së shumti në arenën ndërkombëtare, ai s’e sheh si prioritet për ta zgjidhur. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që shumë shpejt të takohet me Kurtin.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me rezultat historik, s’e sheh prioritet dialogun me Serbinë. Këtë ai e ka theksuar e përsëritur në secilën paraqitje, kurdo që është pyetur për këtë temë.

Pas zgjedhjeve, Kurti ritheksoi edhe në media të huaja atë që tashmë është bërë fjalia kryesore e deklaratave të tij pas zgjedhjeve, se dialogu me Serbinë s’është prioritet për të. Në një intervistë për Agjencinë Bullgare Telegrafike (BTA) ai e përsëriti këtë.

“Ne do të bëjmë një lëshim dhe do ta bëjmë dialogun me Serbinë prioritetin numër katër – pas vendeve të punës, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19”, tha Kurti.

Të njëjtën përpara kësaj ia kishte thënë edhe gazetës zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps”.

“Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia”, deklaroi Kurti.

Të enjten, Kurti përsëriti se “nuk mund ta bëj dialogun me Serbinë prioritetin e parë të Qeverisë së re”. Ai tha se pozicioni i tij s’ka ndryshuar as pas vizitës së emisarit special të Bashkimit Evropian për këtë dialog, Miroslav Lajçak.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, rëndësia e këtij dialogu është në vendin e gjashtë ose të shtatë në opinionin publik. Unë thashë se po bëj një kompromis për ta sjellë atë në vendin e katërt. Por nuk mund ta bëj atë prioritetin e parë, sepse qytetarëve nuk u pëlqen, dhe pozicioni im nuk ka ndryshuar as pas takimit me Lajçak, kështu që dy prioritetet e para janë ende punësimi dhe drejtësia, prioritet është pandemia, dhe pas kësaj mund të ketë një dialog me Serbinë, i cili përndryshe duhet të jetë i përgatitur mirë dhe parimor. Në dialogun e deritanishëm, Kosova ka qenë më shumë temë sesa faktor. Në Qeverinë tonë, në dialogun me Serbinë, Kosova po bëhet faktor”, tha Kurti.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së Këshillit të Sigurimit Kombëtar tha pret që dialogu të vazhdojë në fillim të majit, për të cilin shtoi se Beogradi do të jetë gati.

Qëndrimi i Kurtit i ka bërë përshtypje më herët edhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila shprehej e habitur me këtë.

“Nuk ka asnjë perspektivë, as evropiane dhe as ekonomike pa marrëveshje me Beogradin”, ka thënë Bërnabiq për TV Happy.

Ajo deklaronte se varet nga dialogu nëse dikush do të investojë në Kosovë dhe do të krijojë vende të reja pune dhe deklaroi se askush nuk do të investojë atje ku ka paqëndrueshmëri dhe të ardhme të pasigurt.

“Për shkak të gjithë kësaj, deklarata e Kurtit nuk është e qartë për mua, por mbase unë jam shumë pragmatike”, tha Bërnabiq, duke shtuar se do të ishte “prioriteti numër një” për të dhe se është parakusht që situata në Kosovë të përmirësohet.

Emisari Miroslav Lajçak, i cili pritet ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi dhe takimet Kurti-Vuçiq, së fundi vizitoi Prishtinën dhe Beogradin ku u takua me të dy palët. Ai u shpreh se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe se pret që ai të rinis sa më parë.

(Kosova Sot Online)