Zyrtari i LDK’së ka një mesazh për partinë në prag të zgjedhjeve

  • A.P /
  • 10 March 2021 - 20:14
Zyrtari i LDK’së ka një mesazh për partinë në prag të zgjedhjeve

Zyrtari i LDK’së ka një mesazh për partinë në prag të zgjedhjeve të brendshme

Zyrtari i LDK’së, Valon Mutezaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka dhënë një mesazh për partinë e tij në prag të zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të mbahen me 14 mars.

Murtezaj tha se LDK’ja është partia e parë demokratike në këtë pjesë të Evropës. Ai kujtoi se kushdo që e merr timonin e partisë, ka sfida të mëdha.

Ai tha se LDK’ja dhe Kosova nuk ka nevojë për lider populist. Tutje, Murtezaj tha se drejtuesi i ri i LDK’së duhet t’i japë partisë, jo t’i marrë.

Murtezaj gjithashtu tha se vizioni i presidentit Ibrahim Rugova jeton edhe sot.

Më posht gjeni shkrimin e plotë:

Mesazh për zgjedhjen e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, është parti e Kosovës, shqiptare, e para demokratike, në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Lidhja Demokratike e Kosovës është evropiane. Eshtë parti popullore.

Votuesi i Lidhje Demokratike të Kosovës është shpirtgjërë.

Secili dhe secila që synon kreun e LDK-së, dhe secila dhe secili që voton për Kryetarin e LDK-së, duhet t’ia bëjë dy pyetje vetes:

Kush jam unë? Çfarë dua unë me LDK-në?

Dhe t’i jap përgjigjet dhe zgjidhjet e duhura e të vërteta, me ndërgjegje të thellë njerëzore.

Sepse, është e rëndësishmja ajo që, secili të bëj një vet-vlerësim dhe vet-rregullim individual, para se të kalojë në arenën e përpjekjeve për të rregulluar çështjet në kontekst organizativ dhe kolektiv.

Sfidat janë të mëdha. Nuk do të jetë pozitë komforte, dhe nuk duhet të ndjehet si e tillë.

Pastaj, janë edhe disa pyetje tjera që ju bëhen:

Ku do ta çoni LDK-në? Cilës rrugë do t’i biesh?

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’ia jap burrështetasin Republikës së Kosovës. Liderin me lidership për të ardhmen.

Kjo është çështja. Ky është testi i vërtetë.

Lideri duhet t’i jap LDK-së, jo t’i marr LDK-së.

Lideri i vërtetë nuk del nga një nominim/propozim, një votim, apo një emërim.

LDK-ja ka nevojë për një lider para së gjithash të mençur e patriot.

Lider me guxim të pjekur, pra, me kurajo të maturuar.

LDK-së i duhet një anti-populist i vërtetë. Kosova ka nevojë për politikanë jopopulistë.

Duhet shumë komunikim, duhet shumë kapacitet njerëzor, mbi të gjitha vlera humaniste.

Mos të harrojmë asnjëherë: me rolin prijës të Lidhjes Demokratike të Kosovës është krijuar shteti i Kosovës.

Kur LDK është e fortë, demokracia në Kosovë është më e fortë.

Kur LDK është e fuqishme, Kosova është më e fuqishme.

Vizioni i prijësit historik Ibrahim Rugova i para tre dekadave jeton edhe sot.

Ky vizion, i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, i aleancave me vlera perëndimore, do të jetojë përgjithmonë. Sepse, mbi të gjitha, është vizion për njeriun e Kosovës. Vizion për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

LDK-ja veç e madhe mund të jetë.

Nga Ju varet shumë fati i LDK-së, dhe i yni, e i Kosovës.

Suksese në garë, kolegë e miq të dashur, ju uroj ndërgjegje të pastër dhe punë të mbarë.

(Kosova Sot Online)