Ambasadorja franceze: Kosova ende s’i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

  • A.P /
  • 11 March 2021 - 16:54
Ambasadorja franceze: Kosova ende s’i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Përveç Kosovës, të gjitha shtetet e rajonit në Ballkanin Perëndimor prej më shumë se një dekade mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE’së. Kjo pasi që disa shtete anëtare po konstatojnë se Kosova ende s’i ka plotësuar kushtet.

Ambasadori francez në Beograd Jean Louis Falconi para disa ditëve u shpreh se Kosova ende nuk i ka plotësuar disa kushte speciale për liberalizim të vizave.

“Kur flisni për vizat në Kosovë unë nuk dua të flas me kompetencë, sepse unë nuk jam ambasador i Francës në Kosovë. Por dua të them së pari se, Kosova nuk po  përkushtohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe pika e dytë është se, ka kushte speciale për liberalizimin e vizave që nuk janë përmbushur nga Kosova”, ka thënë ambasadori.

Media ka dërguar pyetje në adresë të ambasadores franceze në Prishtinë, Marie Christine-Butel për ta pyetur se si i cilëson deklaratat e homologut të saj në Beograd, por që diplomatja e Francës ka refuzuar të komentojë ato.

“Nuk më takon mua të komentoj deklaratat e kolegut tim në Beograd”, tha ajo në një përgjigje.

Ajo tutje u shpreh se qëndrimi i Francës rreth liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet i njëjtë dhe se Kosova ende s’i ka përmbushur të gjitha garancitë e kërkuara nga BE’ja për t’ia dhënë dritën e gjelbër për vizat schengen.

“Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj se qëndrimi i Francës për çështjen e liberalizimit të vizave mbetet i pandryshuar për momentin. Franca ka vënë re se zhvillime pozitive janë realizuar nga ana e Kosovës, siç është miratimi nga Kuvendi i Kosovës në nëntor 2018 i një pakete ligjesh që synojnë të forcojnë sundimin e ligjit. Por, këto ligje ende nuk kanë dhënë efekte të prekshme dhe të qëndrueshme. Prandaj është i rëndësishëm zbatimi i reformave nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës të vazhdojë dhe që ligjet e miratuara të zbatohen plotësisht. Për këtë arsye Franca, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, konsideron që të gjitha garancitë e kërkuara nuk janë përmbushur ende në këtë fazë.”, ka thënë ambasadorja Butel  të enjten.

 

Ambasadorja franceze në Kosovë tha poashtu se procesi përfundimar i vendimmarrjes në Këshillin e BE’së për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët mbetet i natyrës politike, derisa ka premtuar bashkëpunim më intensiv Paris-Prishtinë gjatë vitit 2021.

“Por, procesi përfundimtar është i natyrës politike dhe i takon Këshillit të Bashimit Evropian, pra vendeve anëtare të tij. Prandaj, i takon  Këshillit, dhe vetëm atij, të vendosë me shumicë të kualifikuar, atëherë kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të vendoset në agjendën e tij nga ana e shtetit anëtar që kryeson Presidencën e Bashkimit evropian. Prandaj, ne mbetemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimit të shtetit të së drejtës, si dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë. Takimet që u mbajtën në fund të vitit të kaluar ndërmjet departamenteve të ministrive të brendshme të Francës dhe Kosovës, kishin pikërisht për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekzistues midis vendeve tona në këto fusha. Ne do të përpiqemi ta intensifikojmë këtë bashkëpunim gjatë vitit 2021”, tha Marie Christine Butel.

Me 18 Korrik 2018, në Raportin e fundit lidhur me progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur edhe dy kriteret e fundit për liberalizimin e vizave.

Më 13 shtator 2018, Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjermania e cila kryesoi presidencën e BE’së në gjysmën e dytë të vitit 2020 nuk e futi çështjen e liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të BE’së përkundër optimizmit të madh të Kosovës se aleati evropian do ta bënte një gjë të tillë.

Heqja e regjimit të vizave për kosovarët po shihet me skepticizëm edhe për vitin 2021, kur presidencën e Këshillit të BE’së po e kryeson Portugalia, të cilën do ta pasojë Sllovenia në gjysmën e dytë të vitit.

(Kosova Sot Online)