Avokati i polices së arrestuar thotë se ajo u shantazhua nga ish i dashuri

  • A.P /
  • 15 March 2021 - 17:27
Avokati i polices së arrestuar thotë se ajo u shantazhua nga ish i dashuri

Halit Shaljani, avokati i zyrtares policore D.M., e cila po qëndron në arrest shtëpiak, nën dyshimet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, thotë se klientja e tij është shantazhuar nga ish i dashuri i saj. Sipas deklaratës së saj, transmetuar nga mbrojtja e saj, ish i dashuri e ka shantazhuar me fjalët “unë kam mundësi të të arrestoj, të largoj nga policia”.

Zyrtarja policore D.M., është njëra ndër tetë zyrtarët e PK-së të arrestuar ditë më parë, pas një hetimi të fshehtë të IPK-së dhe Prokurorisë që zgjati rreth një vit.

Në dosjen e Prokurorisë për zyrtaren policore D.M., thuhet se ajo bashkë me kolegen e saj M.G., gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, gjatë shoqërimit të një qytetareje e cila kërkon që t’i lirohen prangat sepse po i shkaktonin dhimbje, M.G., i thotë: “Asnjë zë mos ta ndijë se të kuqi dajak”, ndërsa e dëmtuara i thotë se ka të familjes aty, D.M., i thotë “ çka më han k*** mua për familjen tënde”, sipas prokurorisë e dëmtuara goditet me shuplaka edhe brenda stacionit policor.

Aty përmendet edhe ish i dashuri i saj B.V se në një rast ai dëgjohet duke thënë se D.M kishte shtënë me armë zjarri dhe zyrtarët policorë në bashkëkryerje nuk hapin rast fare, por vetëm mundohen t’i qetësojnë D.M dhe B.V”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Për arrestimin e saj dhe masën e arrestit shtëpiak, ka folur avokati Halit Shaljani, i cili thotë se ish i dashuri i polices i ka thënë asaj se mund ta largojë nga policia, duke ia përmendur një mik të tij në Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Sipas saj i dashuri i të mbrojturës time e ka shantazhuar gjithmonë të mbrojturën time shumë herë, duke përmendur personin që e ka mik në IPK. Lidhur me pretendimet e të mbrojturës time, gjatë interevistimt në IPK kur dhe na është prezantuar audio incizimi i nxjerrë nga masat e fshehta, janë përmendur fakte që vërtetojnë pohimet e të mbrojturës sime…Në automjetin e policisë dëgjohet ish i dashuri i saj duke iu treguar policëve për miqtë e tij në IPK B.R dhe tjetri me nofkën Ujku të cilën gjë e mbrojtura ime e ka sqaruar në seancën dëgjimore”, thotë Shaljani.

I pyetur nëse zyrtarja policore i ka denoncuar në polici pretendimet se është shantazhuar, avokati Shaljani thotë se ajo e ka bërë një gjë të tillë dhe rasti është duke u hetuar edhe nga Prokuroria.

“Po, e mbrojtura ime më ka njoftuar se ajo ka denoncuar më herët rastin në polici, gjithashtu sipas saj rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, thekson ai.

Tutje sipas tij, ish i dashuri e ka shantazhuar zyrtaren policore duke aluduar në shoqërinë e tij dhe ndikimin që ka te miku i tij në IPK.

“Sipas të mbrojturës time, prej kohës që ka qenë duke bashkëjetuar me të, ish i dashuri i saj me të cilin kanë bashkëjetuar, gjithmonë e ka shantazhuar duke i thënë që “unë kam mundësi të të arrestoj, të largoj nga policia” etj, duke aluduar në shoqërinë e tij dhe ndikimin që ka në mikun e tij në IPK B.R, e që e njëjta pohon se edhe ajo së bashku me ish të dashurin e saj është shoqëruar disa herë me mikun zyrtarin e IPK. Nga Shatori i vitit 2020, kur e mbrojtura ime është ndarë nga ish i dashuri i saj, sipas saj i njëjti përmes personave të ndryshëm i ka dërguar porosi se nëse nuk kthehesh do të përfundosh në burg se ju e dini ndikimin tim te miku im në IPK”, thotë më tej mbrojtja e D.M.

Avokati pohon se ish i dashuri i saj ka deklaruar rrejshëm për një rast të kanosjes në polici dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të.

“Sipas të mbrojturës time më datë 30.10.2020 ish i dashuri i saj ka paraqitur një rast në IPK kinse e mbrojtura ime e ka kërcënuar atë me armë zyrtare në rrugën Bill Clinton, e pasi që rasti është trajtuar nga IPK, përmes kamerave  është vërtetuar se e mbrojtura ime nuk e ka nxjerrë armën fare dhe nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm, mirëpo nuk është ndërmarrë asnjë veprim që personi që ka paraqitur rastin rrejshëm të ndiqet për lajmërim të rrejshëm.

Poashtu sipas të mbrojturës time pas shumë tentimeve që janë bërë për pajtim nga ish i dashuri i saj edhe e njëjta nuk ka pranuar, i njëjti e ka paraqitur në IPK rastin për ngacmim e që edhe pse kanë përfunduar të gjitha hetimet e rasti ka përfunduar me Kallëzim penal në Prokurori, IPK më datë 19.01.2021 ka kërkuar që të i bëhet transferi i të mbrojturës time për shkak të hetimeve lidhur me atë rast, e që kjo është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit të PK-së, Udhëzimeve Administrative sepse kërkesa për transferim të zyrtarit policor bëhet kur të fillon hetimi e jo pasi të përfundoj e të dorëzohet kallëzimi penal në Prokurori”, shton tutje ai.

I pyetur për rastin që përmendet në dosjen e Prokurorisë se D.M., ka shtënë me armë zjarri dhe kolegët e saj nuk e kanë hapur rastin në polici, avokati thotë se të njëjtes arma i ka shkrepur në mënyrë të rastësishme.

“Sa i përket këtij rasti që unë e kam përfaqësuar, gjatë intervistimit në IPK e njëjta nuk qëndron sepse e mbrojtura ime ka shpjeguar ngjarjen  që arma i ka shkrepur rastësisht në vitin 2019 në banesën ku e mbrojtura ime ka banuar. Në ato momente ka qenë e vetëm në atë banesë, e që sipas  udhëzimit të PK , e dispozitave të tjera ligjore shkrepja aksidentale e armës, nuk përbën asnjë vepër penale.

Ndërsa sa i përket rastit që kolegët e saj nuk e kanë hapur rastin, nuk ka të bëjë me shkrepje të armës mirëpo për një mosmarrëveshje , në të cilin rast e mbrojtura ime ka qenë ankues. Sipas saj, e njëjta ka denoncuar një mosmarrëveshje me ish të dashurin e saj mirëpo pasi që kanë arritur policia e njëjta ka tërhequr denoncimin dhe ka kërkuar që mos të iniciohet rast e që janë bashkuar përsëri me të dashurin e saj deri në ndarjen e fundit që ka ndodhur në shtator 2020″, shprehet Shaljani.

Avokati Shaljani insiston se rasti i tanishëm për të cilin dyshohet e mbrojtura e tij “nuk ka asnjë provë të vetme”.

“Ka ndodhur në vitin 2019, e që bazuar në KPPRK  nuk ka pas arsye që e njëjta të arrestohet, sepse nuk janë plotësuar kushtet në bazë të cilave parashihet arrestimi e më pastaj masa e arrestit shtëpiak apo edhe masa e paraburgimit për disa zyrtarë të tjerë”, përfundon ai.

Tetë zyrtarët policorë të arrestuar, të dyshuar kryesisht për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kërkuar nga Gjykata të mos lihen në paraburgim. Të gjithë kanë deklaruar se edhe nëse ndodhen në liri nuk do të ikin nga vendi.

(Kosova Sot Online)