Qeveria Hoti heq dorë për zgjedhjen e drejtorit të ri të doganës

  • E.K /
  • 16 mars 2021 - 09:40
 Qeveria Hoti heq dorë për zgjedhjen e drejtorit të ri të doganës

Shtyhet sërish përzgjedhja e drejtorit të ri të Doganës së Kosovës, dhe kështu ky institucion i rëndësishëm për mbushjen e arkës së shtetit, vazhdon të udhëhiqet tash e një vit me ushtrues detyre, fillimisht nga Ibrahim Xhaka dhe aktualisht nga Bajram Rexha.

Emërimi i drejtorit të ri të Doganës ka mbetur në diskrecionin e Qeverisë së re, përkatësisht të ministrit të ri të Financave.

Ani pse për procesin e drejtorit të doganës, konkursi dhe rekrutimi për listën e ngushtë finale ishte proceduar nga Ministria e Financave e drejtuar deri disa ditë më parë nga ish-ministrja Hykmete Bajrami, megjithëse me rekomandim të kompanisë të angazhuar nga Ambasada Britanike që ofron mbështetje institucioneve të Kosovës në procesin e rekrutimit të pozitave të larta, kjo përzgjedhje është shtyrë deri në ardhjen e Qeverisë së re.

Ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi thekson për KosovaPress se me rekomandim të kompanisë britanike zgjedhja e drejtorit të ri të Doganës nuk do të bëhet nga Qeveria në detyrë.

“Rekomandimi është prej britanikëve që kanë marrë pjesë në përzgjedhje që me prite deri në ardhjen e Qeverisë së re, kështu që unë nuk e kam përcjell më tutje, sepse edhe ashtu nuk po besoj që është në rregull as prej kandidatëve as prej askujt si proces me përmbyll tash. Ky është të paktën edhe rekomandimi i anglezëve”, thotë Krasniqi.

Dogana e Kosovës, për më shumë se një vit ka mbetur pa drejtor, dhe vazhdon të menaxhohet me ushtrues detyre që prej shkarkimit të drejtorit Bahri Berisha nga Qeveria Kurti 1 më 12 shkurt 2020.

Bahri Berisha ishte emëruar drejtor nga Qeveria Haradinaj në bazë të një konkursi që ishte zhvilluar me asistencën e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta.

Ndërsa, për zgjedhjen e drejtorit të ATK-së, ministri në detyrë Krasniqi tha se nuk ka pasur proces të përzgjedhjes, dhe edhe kjo pozitë siç thotë ai, ka mbetur të zgjidhet nga Qeveria e re.

Ndërkaq, për të hënën e ardhshme, më 22 mars është paraparë të mbahet seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit dhe Qeverisë së re, që pritet të jetë kryeministër Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)