Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë nga Luksemburgu, i kërkoi ndihmë për sigurimin e vaksinave

  • G.G /
  • 17 March 2021 - 13:32
Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë nga Luksemburgu, i kërkoi ndihmë për sigurimin e vaksinave

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes.

Gomes e ka uruar u.d. presidenten Osmani për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe është shprehur e kënaqur me inicimin e procedurave për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke potencuar rëndësinë e krijimit të tyre në funksion të stabilitetit institucional dhe qeverisjes së mirë.

Në këtë takim, Gomes ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për të vazhduar partneritetin mes Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës, duke e avancuar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet të të dy shteteve.

Nga ana tjetër, u.d. presidentja Osmani ka falënderuar Luksemburgun për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, sidomos në fushën e shëndetësisë.

U.d. presidentja ka theksuar domosdoshmërinë e menaxhimit dhe luftimit të pandemisë, duke kërkuar që Republika e Kosovës të përkrahet në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës anti-COVID.

Osmani, po ashtu ka konfirmuar përkushtimin e saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me shtetin e Luksemburgut, duke theksuar se Republika e Kosovës do të jetë partner i besueshëm që synon edhe më tej thellimin e raporteve me Luksemburgun në të gjitha fushat.

(Kosova Sot Online)