Rusia me ligj të ngjashëm si ai që u propozua në Kosovë: 5 vjet burg kush fyen veteranët

  • G.G /
  • 17 March 2021 - 16:01
Rusia me ligj të ngjashëm si ai që u propozua në Kosovë: 5 vjet burg kush fyen veteranët

Dhoma e ulët e Kuvendit të Rusisë e miratoi legjislacionin me të cilin parashihen deri në pesë vjet burgim për ata që i fyejnë veteranët e Luftës së Dytë Botërore.

Në amandamentet në Kodin Kriminal dhe Administrativ, të cilat u miratuan në Dumën Shtetërore të mër, gjithashtu parashihet gjobë deri në 5 milionë rubla ose 68 mijë dollarë për ata që shpallen fajtorë për përhapje publike të informatave të rreme rreth veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.

Ky organ legjislativ tha se dëmtimi publik i dinjitetit apo i nderit të veteranëve do të jetë i barabartë me rehabilitimin e nazizmit, që gjithashtu do të dënohet me dënim maksimal prej pesë vjetësh burgim, shkruan Free Europe.

Legjislacioni i ri duhet të miratohet edhe në dhomën e lartë dhe në fund të nënshkruhet nga presidenti Vladimir Putin për t’u shndërruar në ligj.

“Është e papranueshme që të fyhen ata që e kanë mbrojtur mëmëdheun. Është detyra jonë që ta mbrojmë kujtimin e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, duke iu falënderuar të cilëve ne sot jemi gjallë”, tha kryetari i Dumës, Vyacheslav Volodin.

Ndryshimet u propozuan pasi një gjykatës rus muajin e kaluar e ndëshkoi liderin e burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, me 850.000 rubla ose 11.500 dollarë për fyerjen e një veterani të Luftës së Dytë Botërore, i cili kishte marrë pjesë në një video promovuese të Kremlinit.

(Kosova Sot Online)