Lumir Abdixhiku: Kryesia e re mbështet vazhdimin e diskutimeve vetëm me Vjosa Osmanin, s’duam president një partiak

  • E.K /
  • 20 March 2021 - 16:31
Lumir Abdixhiku: Kryesia e re mbështet vazhdimin e diskutimeve vetëm me Vjosa Osmanin, s’duam president një partiak

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media bashkë me Lutfi Hazirin e Anton Qunin ka folur pas takimit me kryesinë e re të partisë, ku kanë diskutuar edhe për situatën aktuale politike.

Abdixhiku ka treguar se ka marrë përkrahjen e Kryesisë së re për të vazhduar diskutimet vetëm me Vjosa Osmanin rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se LDK nuk është e interesuar të zgjedh president që përfaqëson vetëm një parti.

“Mbështetet iniciativa që LDK të vazhdojë negociatat vetëm me zonjën Osmani si kandidate për presidente. Po pres që gjatë javës së ardhshme, zonja Osmani të caktojë ditën dhe datën e takimit. Na duhet president që I përfaqëson të gjitha partitë politike dhe jo vetëm një parti. Na duhet një president Kushtetues. Të gjitha detajet do t’i shpalosim kurdo që do të ndodh takimi. Ajo çfarë po themi vazhdimisht është që jemi të interesuar ti shmangim krizat”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka treguar edhe për emrat që janë zgjedhur si nënkryetarë dhe ata që janë zgjedhur në Kryesi.

“ Sot kemi zgjedhur kryesinë e LDK’së në përbërje 33 anëtarësh. Kemi zgjedhur edhe nënkryetarët, Hazirin, Muhaxherin, Qunin, Shqipe Mjekiqin,  e sekretarin Imri Ahmeti. Pas kësaj kemi vazhduar me mbledhjen e kryesisë së re”, ka thënë tutje Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)