Australia preket në vërshimet më të rënda në gjysmëshekull, evakuohen mijëra njerëz

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 09:15
 Australia preket në vërshimet më të rënda në gjysmëshekull, evakuohen mijëra njerëz

Autoritetet australiane lëshuan paralajmërime të reja dhe urdhra të rinj për evakuim të martën për shkak se reshjet e mëdha të shiut sollën vërshime që morën me vete shtëpi dhe bllokuan rrugë në rastin më të rëndë në më shumë se gjysmë shekulli.

Agjencia Kombëtare e Motit publikoi paralajmërime në pothuajse të gjitha rajonet në Uellsin e Ri Jugor, duke prekur rreth 10 milionë njerëz në shtetin me 25 milionë banorë, në një sipërfaqe sa Alaska e ShBA-së.

“Gjendja me shiun dhe vërshimet mbetet dinamike dhe jashtëzakonisht e ndërlikuar”, deklaroi para gazetarëve kryeministri i Australisë, Scott Morrison.

Ende nuk është raportuar asnjë viktimë, por mijëra njerëz janë shpëtuar nga ekipet emergjente ditëve të fundit. Rreth 18.000 persona janë evakuuar, ndërsa autoritetet presin që edhe 15.000 të tjerë të evakuohen gjatë ditëve të ardhshme.

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihen ura të rrëzuara nga uji, kafshë të ngujuara dhe shtëpi të vërshuara në Uellsin e Ri Jugor, që është rajoni më i populluar në Australi dhe më i prekuri nga vërshimet.

Ndonëse moti pritet të përmirësohet nga e mërkura, zyrtarët paralajmëruan se banorët e prekur nga vërshimet mund të mos kenë mundësi që të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre, sepse reshjet sjellin më shumë ujë në vendet nga kalojnë lumenjtë.

(Kosova Sot Online)