Avokati i Popullit: Policia e ka diskriminuar Luljeta Aliun kur nuk ka regjistruar denoncimin e saj për dhunë në familje për shkak të veshjes

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 11:45
 Avokati i Popullit: Policia e ka diskriminuar Luljeta Aliun kur nuk ka regjistruar denoncimin e saj për dhunë në familje për shkak të veshjes

Avokati i Popullit ka vlerësuar se Policia e Kosovës e ka diskriminuar në bazë të gjinisë Luljeta Aliun kur ka refuzuar ta regjistroj denoncimin e saj për dhunë në familje për shkak të veshjes.

Avokati i Popullit refuzimin e regjistrimit të denoncimit të dhunës në familje për shkak të veshjes e ka cilësuar si paragjykim gjinor dhe diskriminim në bazë të gjinisë.

“Paragjykimi i grave nga burrat në bazë të veshjes së tyre, në këtë rast nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, e forcon pikërisht idenë e inferioritetit të grave ndaj burrave dhe idenë e superioritetit të burrave ndaj grave dhe cilësohet si diskriminim gjinor”, thuhet nga Avokati i Popullit.

Më tej Avokati i Popullit ka konstatuar se refuzimi i regjistrimit të denoncimit paraqet dështim të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive për të penguar dhunën në familje e për të evituar rrezikun që do të mund të sillte pasoja serioze për Luljeta Aliun.

Njoftimi i plotë:

Avokati i Popullit: Policia e Kosovës e ka diskriminuar në bazë të gjinisë Luljeta Aliun kur ka refuzuar ta regjistrojë denoncimin e saj për dhunë në familje për shkak të veshjes

Më 12 mars 2021 Avokati i Popullit i është drejtuar si mik i gjykatës (Amicus Curiae) Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e padisë për diskriminim gjinor të parashtruar nga Luljeta Aliu ndaj Policisë së Kosovës.

Më 31 mars 2017, Luljeta Aliu ishte paraqitur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë për ta denoncuar shkeljen e udhrit mbrojtës nga bashkëshorti i saj. Policia e Kosovës kishte refuzuar ta regjistrojë denoncimin e Luljeta Aliut për dhunë në familje dhe pas ankesës së saj ndaj këtij mos-veprimi, ishin arsyetuar se rastin nuk e kanë regjistruar për shkak se Znj. Aliu kishte pasur të veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe një maice me rripa”.

Në mendimin juridik drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Avokati i Popullit refuzimin e regjistrimit të denoncimit të dhunës në familje për shkak të veshjes e ka cilësuar si paragjykim gjinor dhe diskriminim në bazë të gjinisë.

Sipas Avokatit të Popullit:“Paragjykimi i grave nga burrat në bazë të veshjes së tyre, në këtë rast nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, e forcon pikërisht idenë e inferioritetit të grave ndaj burrave dhe idenë e superioritetit të burrave ndaj grave dhe cilësohet si diskriminim gjinor”.

Më tej Avokati i Popullit ka konstatuar se refuzimi i regjistrimit të denoncimit paraqet dështim të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive për të penguar dhunën në familje e për të evituar rrezikun që do të mund të sillte pasoja serioze për Luljeta Aliun.

Dy vendimet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë të vitit 2019 e kishin legjitimuar mos-regjistrimin e denoncimit të Znj. Aliu duke u mbështetur “Kodin e Veshjes për Zyrtarë dhe për Palë në Institucione Zyrtare”. Luljeta Aliu ka vazhduar betejën e saj ndaj Policisë duke inicuar padi para Gjykatës Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2019.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës më 8 maj 2020 ka konfirmuar zyrtarisht se Kodi i Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione Zyrtare nuk ekziston.

Ky konfirmim ka ardhur pas disa kërkesave të përsëritura për qasje në dokumente publike të parashtruara nga Avokatja Rina Kika, që e përfaqëson Luljeta Aliun në këtë proces. Sipas Kikës, “zyrtarët policorë kanë detyrim ligjor t’i regjistrojnë dhe të përgatisin raport për të gjitha rastet e denoncuara të dhunësnë familje, e posaçërisht duhet të veprojnë me urgjencë në raste të shkeljes së urdhrave mbrojtës të caktuar nga Gjykata”.

Me 23 qershor 2020, Znj. Aliu kishte plotësuar Padinë duke i përfshirë si palë të paditura edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarë policorë, duke përfshirë zyrtarin policor që kishte refuzuar ta regjistrojë rastin e denoncuar dhe 4 zyrtarët tjerë që e kishin legjitimuar këtë mos-veprim duke u thirrur në një kod të etikës inekzistent.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ende nuk ka caktuar seancë për shqyrtimin e padisë

Lexoni Këtu mendimin juridik të Avokatit të Popullit

(Kosova Sot Online)