Aleksandar Vuçiqi e citon Kushtetutën e Kosovës për ta kritikuar Kurtin

  • G.G /
  • 23 March 2021 - 13:07
Aleksandar Vuçiqi e citon Kushtetutën e Kosovës për ta kritikuar Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se fakti që serbët do të kenë një pozitë ministrore në Qeverinë e Kosovës, si dhe ftesa e kryeministrit të zgjedhur, Albin Kurti që të gjithë duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër Serbisë, është një mesazh i qartë për serbët në Kosovë. Ai çuditshëm pretendoi se serbëve u është bërë e padrejtë, duke cituar Kushtetutën e Kosovës, të cilën ai thotë se nuk e njeh.

I pyetur për ta komentuar faktin se serbët do ta kenë një ministri në Qeverinë e Kosovës sikur edhe boshnjakët, Vuçiq tha se ai vuri re dy gjëra në këtë çështje.

“Njëra është një shkelje brutale e aktit të tyre më ligjor nga këndvështrimi i tyre, sepse ajo kushtetutë thotë se serbët duhet të marrin dy poste ministrore. Por, ata me të vërtetë kujdesen që ata ta shkelin brutalisht atë”, deklaroi Vuçiq.

Ai thotë se shqiptarët në Kosovë nuk janë të shqetësuar, por që sipas tij, ky është mesazh i qartë për serbët këtu.

“Dhe një mesazh edhe më i qartë ishte kur kryeministri i institucioneve të përkohshme në Prishtinë, Kurti tha se të gjithë duhet të ishin të bashkuar në luftën kundër Serbisë. Imagjinoni që unë të bëja thirrje që të bashkoheshim kundër Prishtinës. Ah, unë bëj thirrje që të jemi të bashkuar në arritjen e një kompromisi. Dhe askush nuk reagoi ndaj asaj që tha Kurti”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se gjithçka që është kundër Serbisë është e lejuar.

“Kjo flet për hipokrizi dhe standarde të dyfishta”, tha Vuçiq. 

(Kosova Sot Online)