Qeveria franceze: Për ta luftuar me sukses pandeminë duhet punuar nga shtëpia

  • A.P /
  • 24 March 2021 - 18:09
Qeveria franceze: Për ta luftuar me sukses pandeminë duhet punuar nga shtëpia

Në Francë, më shumë njerëz duhet të punojnë nga shtëpia për ta frenuar përhapjen e koronavirusit, tha Qeveria, duke shtuar se autoritetet do të futnin kontrolle dhe sanksione më të forta ndaj kompanive që nuk i respektojnë sa duhet masat.

Pas mbledhjes së Qeverisë, zëdhënësi Gabriel Attal u tha gazetarëve se situata po përkeqësohet në të gjithë vendin.

Përveç kësaj, ai tha se Qeveria mund të shtojë tre rajone të tjera në listën e saj të zonave të rrezikut që duhet të monitorohen nga afër, dhe për to futja e masave kufizuese është e mundur.

“Situata me epideminë është e keqe”, theksoi Attal.

Javën e kaluar, Qeveria mbylli Parisin dhe disa zona veriore për një muaj. Vështirësitë me importin e vaksinave dhe përhapja e varianteve shumë ngjitëse të koronavirusit e kanë detyruar pPresidentin Emmanuel Macron të marrë masa shtesë.

Në Francë, 4.3 milionë njerëz janë infektuar që nga fillimi i pandemisë dhe 93,065 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)