Kujdes çfarë bëni “share”, blogeri detyrohet t’ia paguajë një kryeministri gati 100.000 dollarë

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 09:24
 Kujdes çfarë bëni “share”, blogeri detyrohet t’ia paguajë një kryeministri gati 100.000 dollarë

Gjykata e Lartë e Singaporit ka urdhëruar një bloger që të paguajë 133 mijë dollarë të Singaporit ose rreth 99 mijë dollarë amerikanë si dëmshpërblim në një rast gjyqësor për shpifje kundër kryeministrit Lee Hsien Loong.

Kryeministri e paditi blogerin Leong Sze Hian, i cili gjithashtu punon si këshilltar financiar, vetëm pasi ai shpërndau në Facebook një artikull të lajmeve, shkruan The Guardian.

Avokatët e kryeministrit thanë se linku i shpërndarë nga blogeri është i pabazë dhe i rremë. Leong e kishte fshirë postimin tri ditë pas publikimit, sipas kërkesës së qeverisë.

Gjykatësi i rastit, Aedit Abdullah, tha në vendimin e tij se nuk ka gjetur se Leong mund të pretendojë në mënyrë të arsyeshme se fjalët shpifëse nuk e kanë dëmtuar karakterin e kryeministrit Loong, pasi artikulli sugjeronte se kryeministri ishte i përfshirë në aktivitet serioz kriminal.

Leong më parë kishte thënë se thjesht ka shpërndarë një artikull nga një faqe malajziase e lajmeve, pa shtuar ndonjë koment dhe pa e ndryshuar përmbajtjen.

Blogeri tha se i vjen mirë që mosmarrëveshja ka përfunduar, por se është i zhgënjyer. Ai tha se do të kërkojë këshilla ligjore rreth vendimit të gjykatës si dhe do t’i dëgjojë edhe mendimet e bashkëkombësve për këtë çështje.

Figura të larta të partisë në pushtet, përfshirë babanë e ndjerë të kryeministrit të tanishëm, në të kaluarën kanë paditur medie të huaja, kundërshtarë politikë dhe komentues të internetit për shpifje.

(Kosova Sot Online)