Hysen Sogojeva: Gastronomia nuk është vatër e pandemisë, kundërshtojmë masat shtrënguese

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 11:18
Hysen Sogojeva: Gastronomia nuk është vatër e pandemisë, kundërshtojmë masat shtrënguese

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka kërkuar që mos të merret vendimi nga Qeveria e Kosovës ad-hoc për masat e reja Anti-Covid, sepse sektori i Hotelerisë dhe Gastronomisë është më i atakuari dhe më i dëmtuari nga pandemia.

Sogojeva po konsideron se hoteleria dhe gastronomia nuk janë vatër e pandemisë.

“Mundemi me pësu të gjithë, mundemi me fitu të gjithë, dhe për mos me ardhur deri te e keqja, mirë është që qeveria me i marrë rekomandimet tona. E para është ta ruajmë biznesin normal duke respektuar të gjitha format që ta ruajmë edhe shëndetin. Por deri më tani me plotë përgjegjësi po iu themi se nuk ka qenë vatër dhe as nuk është vatër gastronomia dhe hoteleria, e pandemisë. Kemi shembuj, të cilët e argumentojnë këtë. Nuk jam ekspert i kësaj fushe të shëndetësisë, por megjithatë në bazë të analizave që i kemi bërë si Odë ka dalë që nuk është”, thotë Sogojeva.

Kryetari i kësaj ode thekson se ndihma e shtetit deri tash në pandemi ka qenë një lëmosh, dhe për këtë rekomandon Qeverinë Kurti që të gjej zgjidhje për të dalë nga kjo krizë.

“Është mirë që kjo qeveri fillimisht të analizojë gjendjen mirë, të konsultohemi së bashku. Rekomandimet tona t’i merr, edhe përveç masave që ndoshta mund t’i merr, e jona është që kjo qeveri të mendon edhe për Ligjin e Rimëkëmbjes, që mjetet të cilat janë paraparë për këtë sektor janë një lëmosh nuk është ndihmë. Absolut nuk është ndihmë. Prandaj rekomandojmë qysh tani që ne do të jemi bashkëpunues por duke marrë rekomandimet tona që dalim sa më shpejt prej kësaj krize”, thekson ai.

Sogojeva thotë se nuk përjashtojnë mundësinë se do t’a kundërshtojnë çdo shtrëngim të masave nga qeveria e re, e cila çon në mbyllje vendin, veçanërisht sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë.

 “Ne po themi ejani bashkëpunojmë që mos me ardhur deri te reagimet që në qoftë se vijnë vendime ad-hoc dhe nuk janë të pëlqyeshme, është normale që nesër pasnesër nëpërmjet organeve ne marrim vendime dhe nuk përjashtohet çdo lloj forme edhe demokratik, edhe më të fortë. Jo që do t’i kundërshtojmë, por ne nuk po dëshirojmë me ardhur deri tek kundërshtimi. Për mos me ardhur deri te kundërshtimi e para te bashkëpunimi. Ejani bashkëpunojmë merrni rekomandimet tona, po i marrim rekomandimet e juaja, cila është më e mira për me shpëtuar shëndetin dhe për me shpëtuar biznesin, atëherë e aprovojmë”, thotë ai.

Ai ka kërkuar që si Odë e Hotelirsë dhe Turizimit të kenë një përfaqësues të këtij komuniteti në komitetin për menaxhimin e pandemisë.

Në letrën drejtuar kryeministrit po ashtu thuhet se “Janë dëshmitarë se vatër e infeksionit kanë qenë vet institucionet publike, dhe po ashtu edhe partitë politike ku për interesa të veta nuk kanë ekzistuar masa as ligje që i kanë ndaluar, dhe për këtë kërkojnë mirëkuptim dhe konsideratë për secilën kategori dhe shtresë të këtij vendi”.

(Kosova Sot Online)