IKSHPK: Sot numri më i lartë i rasteve me koronavirus në këtë vit, pritet të ketë rritje ditëve në vijim

  • E.K /
  • 25 mars 2021 - 15:27
 IKSHPK: Sot numri më i lartë i rasteve me koronavirus në këtë vit, pritet të ketë rritje ditëve në vijim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), ka njoftuar për  836 raste të reja me koronavirus në Kosovë.

Sipas IKSHPK-së brenda 24 orëve të fundit janë shënuar edhe dhjetë raste të vdekjeve nga virusi, teksa janë shëruar 700  të tjerë.

 “ Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.133 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 836 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv“, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Sipas IKShPK-së sot është numri më i lartë i rasteve të reja me koronavirus të shënuara gjatë vitit 2021.

Madje IKShPK ka njoftuar se ditëve në vijim mund të ketë edhe më shumë raste ët reja.

“Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.  Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.

(Kosova Sot Online)