OKB: Burrat në Etiopi u detyruan t’i dhunojnë seksualisht familjarët e vet

  • E.K /
  • 26 March 2021 - 13:25
 OKB: Burrat në Etiopi u detyruan t’i dhunojnë seksualisht familjarët e vet

Mbi 500 raste të dhunimit seksual janë raportuar në pesë klinika të rajonit Tigray të Etiopisë, njoftuan të enjten Kombet e Bashkuara, duke paralajmëruar se numri i vërtetë ka gjasë të jetë shumë më i lartë për shkak të stigmatizimit dhe mungesës së shërbimeve shëndetësore.

“Gratë thonë se janë dhunuar seksualisht nga persona të armatosur, ato gjithashtu treguan rrëfime për dhunime në grup, dhunim në sy të familjarëve dhe për burrat që janë detyruar t’i dhunojnë familjarët e vet nën kërcënim”, tha Wafaa Said, pjesë e programit për ndihma të Kombeve të Bashkuara në Etiopi.

“Duke e marrë parasysh faktin që shumica e qendrave shëndetësore nuk janë duke funksionuar dhe gjithashtu edhe stigmatizimin që shoqërohet me dhunimin seksual, vlerësohet se numri i vërtetë i rasteve është shumë më i lartë”, shtoi ajo.

Disa zyrtarë të Kombeve të Bashkuara bënë thirrje të hënën që të ndalen sulmet kundër civilëve, duke i theksuar sidomos raportimet për dhunim seksual dhe format tjera të tmerrshme të dhunës seksuale, shkruan Reuters.

Në nëntor të vitit të kaluar, trupat qeveritare të Etiopisë i filluan luftimet me rebelët pas mosmarrëveshjes për mbajtjen e zgjedhjeve dhe kontrollin në rajonin kufitar. Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, ka thënë se në këtë zonë ka edhe ushtarë të Eritresë.

Ambasadori i Etiopisë në kombet e Bashkuara tha se pretendimet për dhunime seksuale janë marrë shumë seriozisht nga qeveria, e cila ka dërguar në rajon një mision për kontrollimin e fakteve.

(Kosova Sot Online)